Brenda vitit 2027 mbyllim negociatat me BE-në, Peleshi: Objektivi ynë për anëtarësimin e Shqipërisë

U çelën sot punimet e Konferencës Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamenteve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të Bashkimit Europian.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, uroi mirëseardhjen e delegacioneve në Tiranë dhe theksoi se konferenca synon jo vetëm të prezantojë ecurinë e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, por mbi të gjitha të krijojë një hapësirë për dialog, shkëmbim përvojash dhe diskutim mbi sfidat e procesit.
Në ceremoninë e mirëseardhjes përshëndetën Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Andreas Schieder, anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian dhe Raportues për Shqipërinë; Sofia Moreira de Sousa, Ambasadore e BE-së në Shqipëri; si dhe David McAllister, Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, përmes një videomesazhi.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të parlamenteve dhe institucioneve europiane, Peleshi u ndal te roli i parlamenteve në procesin e integrimit dhe te mbështetja e marrë nga partnerët europianë gjatë kontakteve të zhvilluara gjatë vitit të fundit.
Ai vuri në dukje se vetëm gjatë sesionit të kaluar ka zhvilluar vizita në Parlamentin Europian dhe në 14 parlamente të vendeve anëtare, duke theksuar mbështetjen e shprehur për anëtarësimin e Shqipërisë.
“Shqipëria ka vetëm një Plan A për të ardhmen e saj dhe ky destinacion është Bashkimi Europian”, u shpreh Kryetari i Kuvendit, duke theksuar se anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade dhe përfundimi i negociatave teknike brenda vitit 2027 mbeten objektiv strategjik kombëtar.
Në vijim, Kryetari i Kuvendit iu referua historisë së projektit europian dhe Manifestit të Ventotenes, duke e lidhur atë me aspiratën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Europës. Ai solli në vëmendje edhe thirrjen e studentëve shqiptarë në dhjetor 1990, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, duke e cilësuar atë si “Manifestin tonë të Ventotenes”.
Kryetari Peleshi vuri në dukje progresin e shënuar gjatë vitit 2026 në negociatat e anëtarësimit, përfshirë avancimin në grupkapitullin “Themelorët” dhe mbylljen e kapitujve negociues. Ai theksoi se këto arritje shoqërohen me sfida që lidhen me zbatimin efektiv të legjislacionit, forcimin e institucioneve, modernizimin e shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë, si dhe arritjen e rezultateve të matshme për qytetarët.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua rolit të Shqipërisë në rajon. Kryetari i Kuvendit nënvizoi angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, promovimin e dialogut, rritjen e ndërlidhjes ekonomike dhe infrastrukturore dhe avancimin e perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Peleshi theksoi gjithashtu se Shqipëria e konsideron veten jo vetëm përfituese të anëtarësimit, por edhe një promotore aktive të zhvillimit, sigurisë dhe paqes, duke nënvizuar gatishmërinë e vendit për të marrë përgjegjësi dhe për të kontribuar në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta euroatlantike.
Duke folur për rolin e Kuvendit, ai theksoi se integrimi europian është udhëharta e transformimeve politike, ekonomike, shoqërore dhe institucionale të vendit. Ai nënvizoi përgjegjësinë e Kuvendit në hartimin e kuadrit ligjor, realizimin e reformave dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi procesin e integrimit, si dhe rëndësinë e konsultimeve publike dhe përfshirjes së shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe ekspertëve.
Në këtë kuadër, Kryetari Peleshi foli edhe për përgatitjen e Kuvendit për anëtarësimin, përshtatjen e strukturave dhe kuadrit rregullator me standardet e parlamenteve të vendeve anëtare, si dhe për përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për rritjen e produktivitetit, eficencës dhe transparencës së veprimtarisë parlamentare.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e diplomacisë parlamentare si urë e qëndrueshme ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve anëtare e kandidate.
Në përfundim të fjalës, Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria e koncepton anëtarësimin si një proces të bazuar në meritë, në përmbushjen e standardeve dhe në progresin real të secilit vend kandidat.
“Shqipëria nuk kërkon privilegje. Shqipëria kërkon një vlerësim të drejtë të rezultateve të arritura”, u shpreh Peleshi, duke nënvizuar synimin që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian si një anëtare e përgatitur, e besueshme dhe e aftë për të kontribuar në forcimin e tij.
Konferenca “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë” zhvillohet në Tiranë në datat 27–29 shtator 2026 dhe mbledh së bashku përfaqësues të parlamenteve dhe institucioneve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të BE-së.
Punimet e konferencës do të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme me tre sesionet e saj tematike: “Agjenda e zgjerimit të BE-së dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit”, “Zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë” dhe “Udhëheqja parlamentare dhe angazhimi në avancimin e integrimit europian”.
Konferenca synon të informojë dhe ndërgjegjësojë parlamentet pjesëmarrëse mbi arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, të forcojë bashkëpunimin parlamentar dhe mbështetjen e parlamenteve të vendeve anëtare për procesin e integrimit, të konsolidojë partneritetin me vendet kandidate, si dhe të krijojë një hapësirë për dëgjimin e vërejtjeve dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare për çështjet europiane dhe të aktorëve të përfshirë në përpunimin e politikave të zgjerimit.
Diskutimet do të fokusohen gjithashtu në ecurinë e procesit të zgjerimit, përvojat dhe sfidat e vendeve kandidate dhe rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit europian, në funksion të objektivit strategjik kombëtar për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.


