Nga skelat te shqiponja në Beograd/ Rrëfimi i boksierit shqiptar të UFC: Ishin 22 mijë serbë në arenë, e kisha ndarë mendjen…

Përfytyroni një arenë me 22 mijë njerëz që ulërasin kundër teje.
Një atmosferë armiqësore që dridhet si nga tërmeti, një shtet i tërë që nuk të do aty dhe vetë organizatorët e UFC-së që të bëjnë presion të tërhiqesh. Por asgjë nga këto nuk e ndali luftëtarin shqiptar Dennis Buzukja, që në mes të Beogradit, të ngrinte lart duart për të bërë shqiponjën dhe të futej në kafaz me flamurin kuqezi. Ai nuk e njihte frikën, dhe këtë, serbët e kuptuan shumë shpejt.
“Gjatë peshimit, ia bëra duart kështu… e nxora shqiponjën dhe doli direkt në çdo lajm. Ishte provokim, e pranoj. Por kur erdhi dita e ndeshjes dhe doli fotoja ime në arenë… u çmendën. Ishin 22 mijë serbë brenda, filluan të bërtisnin, bënin zhurmë, dridhej arena si me qenë tërmet. UFC më bëri shumë presion që të mos dilja me flamur, pasi shteti i Serbisë nuk e pranonte. Por unë kisha flamurin aty në karrige, e pashë dhe thashë: ‘Nuk më intereson, unë e kam ndarë mendjen, do dal me të’. Dhe kur dola… çfarë nuk bënin. Të shanin, të pështynin… por asnjë nga ato nuk më bëri përshtypje”, u shpreh luftëtari i UFC-së Dennis Buzukja.
Të hysh në “strofullën e ujkut” dhe të dalësh me kokën lart kërkon një karakter të hekurt. Por ky mentalitet luftëtari nuk u formua vetëm në ring. Dennisi u kalit mes punëve të rënda të ndërtimit, llaçit, skelave dhe lodhjes ekstreme në rrugët e Amerikës. Për të arritur majat e arteve marciale mikse, atij i është dashur të bëjë një jetë të dyfishtë.
“Kam punuar në ndërtim… me beton, me skela, me rrymë elektrike, me gjithçka. Punë e rëndë. Mbas punës, pushoja gjysmë ore brenda në makinë dhe ashtu i lodhur i jepja makinës edhe një orë e gjysmë në trafik për të shkuar në stërvitje. Stërvitesha 2-3 orë dhe e bëja këtë gjë çdo ditë, 6 ditë në javë”, tha Buzukja.
E gjithë kjo force dhe ky karakter, buron nga rrënjët e tij. Prindërit lanë gjithçka pas në vitin e errët 1997 për t’i siguruar atij një të ardhme në “Tokën e Premtuar”. Por edhe pse i rritur mijëra kilometra larg, zemra e shtëpisë së tyre mbeti gjithmonë në Shqipëri.
“Origjinën e kam prej Shkodrës. Prindërit kanë ikur në vitin ’97, kanë lënë gjithçka mbrapa dhe kanë shkuar në Amerikë vetëm për mua, për të më dhënë një jetë dhe mundësi më të mirë. Jam rritur duke u mësuar se prindërit janë shqiptarë. Ata nuk dinin asgjë për Amerikën. Kështu që unë u rrita si shqiptar, me gjuhën, kulturën dhe shtëpinë shqiptare”, shtoi ai.
Sot, ai nuk është thjesht një emër premtues në UFC. Ai është simboli i djalit të emigrantëve që me punë, sakrificë dhe krenari për gjakun e tij, ka arritur të detyrojë edhe arenat më armiqësore të heshtin përballë forcës së tij.


