Skeda/ Amnistia penale e miratuar në Kuvend, në fuqi nga korriku! Kush përfiton e kush jo

Amnistia Penale e miratuar nga Kuvendi pritet të sjellë lirimin e menjëhershëm të 466 të dënuarve dhe uljen e dënimit për 869 të tjerë, duke zgjeruar përfituesit deri tek personat me vendime të formës së prerë deri më 31 maj 2026. Nga skema përfitojnë të dënuarit për vepra me rrezikshmëri më të ulët, gratë, të miturit dhe të moshuarit, ndërsa jashtë saj mbeten autorët e krimeve të rënda, korrupsionit, trafikut të drogës dhe dosjeve të SPAK.
Amnistia Penale e votuar me 84 vota mbrëmjen e së enjtes pritet të nisë implementimin gjatë muajit korrik të këtij viti.
Mes atyre që do të lirohen janë 11 gra dhe 1 i mitur, ndërsa 8 gra të tjera dhe 1 tjetër i mitur, përfitojnë ulje dënimi.
Fillimisht amnistia thoshte se përfituesit e saj duhet të kenë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 dhjetor të vitit 2025, ndërsa ndryshimet e reja saktësojnë se do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri me 31 maj të këtij viti. Të burgosurit do të kenë mundësi të përfitojnë nga amnistia edhe nëse vendimi i formës së prerë nga Apeli nuk është zbardhur ende.
Nga amnistia do të përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative, gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta.
Po ashtu lirohen burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim si dhe gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim.
Një tjetër kriter përfitues është dhe mosha. Burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.
Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre Vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhe shumë vepra të tjera të rënda.
Gjithashtu nuk do të përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, pra ata që janë fshehur, arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimit penal.
Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.
Amnistia nuk kufizohet vetëm te të dënuarit. Projektligji parashikon edhe faljen e ndjekjes penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët, ndërsa procedurat konkrete do të zbatohen nga gjykatat dhe prokuroritë pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Kështu 2163 perona do të përfitojnë shuarje të shërbimit të provës, ndërsa 2914 të tjerë përfitojnë ulje. Sipas Ministrit të drejtësisë Toni Gogu numri total i atyre që përfitojnë nga kjo amnisti është 6412 persona!
Partia Socialiste nuk pranoi dy amendamente të Arjan Ndojit të PD që kërkonte të përfitojnë edhe të dënuarit nga GJKKO dhe SPAK, dhe të Jorida Tabakut që kërkonte që amnistia të përfshinte fyerjen dhe shpifjen.
VEPRAT QË NUK AMNISTOHEN
Vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës
Krimet kundër njerëzimit
Përdhunimet dhe krimet seksuale
Trafikimi i qenieve njerëzore
Dhuna e rëndë ndaj fëmijëve
Rrëmbimi dhe peng marrja
Korrupsioni i zyrtarëve publikë
Pastrimi i parave
Trafiku i drogës
Krimi i organizuar dhe organizatat kriminale.
Veprat terroriste
Krimet zgjedhore
Shumica e veprave të rënda mjedisore dhe ekonomike


