Zgjerohet dosja “Sky ECC” : Princ Dobroshi e Mentor Imami i kërkuar për 83.5 kg heroinë, në shënjestër të Prokurorisë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka zgjeruar zyrtarisht hetimet ndaj një rrjeti të gjerë që dyshohet për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe shpëlarje parash. Insajderi ka siguruar ekskluzivisht aktvendimin e prokurorisë, të datës 31 tetor 2024, i cili zbulon se si hetimet kishin nisur dhe ishin zgjeruar në heshtje mbi këtë strukturë, duke shërbyer më pas si bazë për operacionin e madh që publiku e mori vesh gjatë valës së arrestimeve që ndodhën në vitin 2025.
Në qendër të këtij dokumenti figurojnë dy emra mjaft të njohur për autoritetet: Princ Dobroshi, i cili aktualisht po vuan dënimin në Evropë, dhe Mentor Imami, një emër i skeduar në Kosovë për përfshirje në raste të mëdha të trafikut të heroinës.
Kush janë 16 emrat e rinj në dosje?
Ndërsa emrat e një pjese të rrjetit (si Blerim Sharapolli, Abedin Gjakova apo Rexhep Nikqi) u bënë publikë për audiencën vetëm gjatë arrestimeve të vitit 2025, dokumenti që ka siguruar Insajderi zbulon se Prokuroria Speciale e kishte zgjeruar rrethin e të dyshuarve kohë më parë, duke futur nën hetim zyrtar edhe 16 persona të tjerë të cilët nuk ranë në pranga në valën e parë publike: Princ Dobroshi (i lindur më 1964, Pejë) Mentor Imami (i njohur si “doki”, “doktori”, “qyftja”, “tada”) Mërgim Demiri Erduan Vokshi (i njohur si “Edi”) Egemen Vokshi Shenasi Loha Xhevat Vuçetaj (i cili ka ndërruar identitetin në Dzevad Prelvukaj) Ragip Ahmetaj Nekë Përgjegjaj Fadil Baleci Fuad Hajdari Agim Hoti Mustafë Hajdini Hajridin Habiballar Besart Bekteshi Lulzim Halimi (i njohur si “Lul”) Princ Dobroshi – “Peshkaqeni” që po vuan 13 vite burg në Gjermani.
Përfshirja e Princ Dobroshit (i lindur më 2 prill 1964 në Pejë) në dokumentet e “Sky ECC” në Kosovë dëshmon shtrirjen e aktivitetit të tij kriminal edhe pse ai tashmë ndodhet prapa grilave në Evropë.
Pas një historie të gjatë arrestimesh dhe arratisjesh spektakolare gjatë viteve ’90 në Norvegji dhe Çeki, Dobroshi u arrestua në Shqipëri në fund të vitit 2023 dhe më pas u ekstradua në Gjermani.
Për këtë rast ndërkombëtar, Gjykata e Hamburgut e dënoi atë në shtator të vitit 2025 me 13 vite burgim dhe 8 milionë euro gjobë. Ai u shpall fajtor si organizator i kontrabandimit të 10 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut përmes portit të Hamburgut, aktivitet ky që u zbulua pas zbërthimit të aplikacionit tjetër të koduar, EncroChat.
Aktvendimi i Prokurorisë Speciale në Kosovë tregon se, paralelisht me atë rrjet, Dobroshi, i njohur në botën e krimit si “Peshkaqeni”, dyshohet se ka përdorur kodet e platformës Sky ECC për të koordinuar degën e trafikut në Kosovë, duke shfrytëzuar Pejën si bazë logjistike për pranimin dhe ri-paketimin e kokainës përpara transportimit të saj drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Mentor Imami – I kërkuari për ngarkesën prej 83.5 kilogramësh heroinë
Në dokumentin e PSRK-së, Mentor Imami (i lindur më 3 prill 1979 në Pejë, me vendbanim në Prishtinë) identifikohet me katër pseudonime të ndryshme në Sky ECC: “doki”, “doktori”, “qyftja” dhe “tada”. Për autoritetet kosovare, ai nuk është një emër i panjohur.
Imami ka qenë në shënjestër të Njësisë Kundër Narkotikëve si person i dyshuar dhe i shpallur në kërkim në rastin e bujshëm të shkurtit 2022. Në atë kohë, në pikën kufitare në Han të Elezit, Policia e Kosovës sekuestroi 83.5 kilogramë heroinë të pastër.
Droga ishte e fshehur në një kamion që transportonte ngrohës elektrikë nga Turqia me destinacion Prishtinën. Aktvendimi i ri zbulon se, sipas dyshimeve të prokurorisë, pas dështimit të asaj ngarkese të heroinës në vitin 2022, Imami ka vazhduar aktivitetin përmes komunikimeve të koduara në Sky ECC.
Ai dyshohet të ketë pasur rol kyç koordinues dhe logjistik në Prishtinë, duke shërbyer si urë lidhëse ndërmjet grupit të Pejës dhe kanaleve të transportit të drogës.
Nga kontejnerët e Amerikës së Jugut drejt tregut evropian
Prokuroria Speciale specifikon se grupi ka funksionuar si strukturë e organizuar kriminale që nga viti 2019. Sipas dokumentit, narkotikët fshiheshin në kontejnerë transportues që vinin nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia, ndërsa në Kosovë hynin në tranzit përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Pasi përzihej në Kosovë me sodë bikarbonat për t’iu rritur pesha, droga ri-paketohej dhe eksportohej drejt vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Kroacinë dhe shtete të tjera.
Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, që dyshohet se arrijnë në miliona euro, sipas prokurorisë janë investuar në patundshmëri dhe biznese në emër të të dyshuarve ose familjarëve të tyre.
Hetimet po udhëhiqen nga prokurorët specialë Sebahate Hoxha dhe Fatos Ajvazi, të cilët në bashkëpunim me EUROPOL-in po gjurmojnë asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të personave të përfshirë në këtë dosje.
Të gjithë të përfshirët
Për transparencë të plotë, Insajderi sjell listën zyrtare të të 27 personave që përmenden në këtë dosje të Prokurorisë Speciale: Blerim Sharapolli (i njohur si “Blleki”) Abedin Gjakova (i njohur si “Beti” / Albert Gjakova) Rexhep Nikqi Kujtim Neziraj Ardijan Mazrekaj Edin Berisha Avni Rekaliu Kahraman Aksoy Kurbin Dedzari Onur Vizdik Ragip Bislimi (i njohur si “Gipa”) Elez Elezi Rifat Vuçetaj Princ Dobroshi Mentor Imami Mërgim Demiri Erduan Vokshi Egemen Vokshi Shenasi Loha Xhevat Vuçetaj (Dzevad Prelvukaj) Ragip Ahmetaj Nekë Përgjegjaj Fadil Baleci Fuad Hajdari Agim Hoti Mustafë Hajdini Hajridin Habiballar.


