Pse e refuzojmë dikë kur tregon shumë interes për ne? Ja çfarë thonë psikologët

E kemi përjetuar të gjithë: dikush na pëlqen, na shkruan, na tregon interes dhe përkushtim, por sa më shumë që na afrohet, aq më shumë na vjen të largohemi. Kjo sjellje nuk është e pazakontë dhe në psikologji njihet si “paradoksi i tërheqjes”. Kur dikush është shumë i disponueshëm, shumë i drejtpërdrejtë në ndjenja, truri ynë shpesh e përkthen këtë si mungesë sfide, si një situatë që nuk kërkon përpjekje, ndaj edhe nuk na ndez më. Ja pse ndodh kjo:
– Na pëlqen ajo që është pak më e paarritshme. Kur tjetri na vë në piedestal dhe na ofrohet pa asnjë pengesë, humbet ndjesia e misterit dhe eksitimit.
– Kur dikush tregon shumë interes, mund të na duket sikur po afrohet një angazhim serioz. Nëse nuk jemi gati për lidhje të thellë, aktivizohen frikërat që lidhen me humbjen e lirisë apo zhgënjimin.
– Ka raste kur thjesht nuk e pëlqejmë realisht atë person. Por kur na vjen kaq pranë, na bën të ndihemi në siklet ose të detyruar të kthejmë diçka pas. Dhe kjo sjell largim.
– Nëse nuk e vlerësojmë mjaftueshëm veten, kur dikush na do sinqerisht, na duket si e dyshimtë ose e tepërt. Mendojmë: “Pse më do kaq shumë? Çfarë nuk shkon me të që më sheh mua kaq lart?”
Të gjitha këto arsye janë një përzierje mes pritshmërive tona, mënyrës si jemi mësuar të përjetojmë dashurinë dhe mënyrës si e shohim veten. Psikologët këshillojnë që përpara se të gjykojmë ndjenjat tona si “të gabuara”, të ndalemi dhe të pyesim veten: A po largohem sepse nuk kam ndjenja reale, apo sepse nuk jam mësuar të ndihem i/e dashur në këtë mënyrë?
Dashuria e sinqertë nuk është gjithmonë e lehtë për ta përballuar. Dhe nganjëherë problemi nuk është tjetri – por ajo çka ne mendojmë se meritojmë.


