Pickimi nga insektet ose peshqit në det, mjekët ngrenë alarmin: Pikënisja e një infeksioni nëse neglizhohen!

Mjekët rekomandojnë kërkimin e menjëhershëm të ndihmës nëse shfaqen vështirësi në frymëmarrje, ënjtje e fytyrës ose e fytit, dhimbje shumë të forta, temperaturë, infeksion ose përkeqësim i plagës.
Pickimi nga insektet ose peshqit në det mund të jetë vetëm pikënisja e një infeksioni të rëndë nëse neglizhohet dhe nuk trajtohet në kohë.
Mjekja pediatre Sonila Brati për RTSH tha se gjatë vizitave ditore gjatë kësaj periudhe ndjek edhe raste të pickimeve te fëmijë të vegjël.
“Ndonjëherë mund të kenë goxha probleme nga pickimet. Pra, kemi pasur raste që janë detyruar të përdorin edhe antibiotik për shkak të infektimit dhe të një temperature goxha të lartë.”, tha mjekja.
Jo rrallëherë prindërit reagojnë vetë të parët ndaj këtyre pickimeve, pa pritur ndihmën mjekësore.
“Ndonjëherë prindërve mund t’u duket një gjë e thjeshtë, të fillojnë ndonjë mjekim vetë, të japin një antialergjik vetë, përdorin shpeshherë këto kompresa, por ndonjëherë duhet që të drejtohen te mjeku, sepse problematikat mund të jenë pak më serioze”, tha mjekja.
Rastet më të rënda që shkaktojnë helmime biologjike janë të shpeshta edhe në shërbimin e Toksikologjisë në QSUT
“Pickimet nga peshqit. Kemi raste të tilla, sidomos nga zonat bregdetare, që janë rrezik. Kemi edhe raste të tilla që kërkojnë asistencë mjekësore. Janë edhe lëndime të tjera biologjike nga akrepi, bleta, grerëza, skolopendra e të tjerë”, tha Andrin Tahiri, shef i Toksikologjisë në QSUT.


