Lamtumira e këngëtarit grek – Reagon mjekja e njohur : Mazonakis zotëronte mekanizmin që të mos plakej kurrë

Trupi i pajetë i këngëtarit të mirënjohur grek, Giorgios Mazonakis, u përcoll pasditen e djeshme nga mijëra fansa, duke mbyllur kapitullin e fundit të ceremonive dyditore të lamtumirës për një nga ikonat e muzikës greke të dekadave të fundit.
Në ceremoninë e lamtumirës morën pjesë shumë emra të njohur të muzikës, televizionit dhe jetës publike greke.
Mes tyre ishin Natasa Theodoridu, Elena Paparizou, Nikos Ikonomopoulos, Nikos Vertis, Giorgos Sabanis, Nikos Kourkoulis, Petros Imvrios, Giannis Vardis dhe Nikos Vourliotis, si dhe shumë miq e bashkëpunëtorë të tjerë të këngëtarit.

Mjekja e njohur, Anika Dokle ka reaguar përmes një statusi, lidhur me vdekjen e këngëtarit grek.
"Po shoh kronikën e varrimit të Mazonakit, i cili u sakrifikua për "rininë e përjetshme"... Po shoh personalitete të artit dhe muzikës greke, të cilët reflektojnë moshën e tyre reale, dhe pse nuk kanë lënë gjë pa prekur, riprekur, lëmuar, tërhequr, pickuar, kafshuar etj. Ngjajnë po aq!
Nëse nuk ke genet në favor, hiç mos u lodh! Nëse nuk dashuron, nuk ka plazmaferezë që të bën derman. Nëse nuk mbush, as nuk zbraz. Gjithsesi, ka një mekanizëm që kurrë nuk plaket:
Ai është talenti!
Dhe Mazonakis ishte një talent i madh!", tha ajo përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke e quajtur të gabuar vendimin e këngëtarit, për të luftuar plakjen.
Mazonakis ndërroi jetë pas një arresti kardiak pasditen e 9 shtatorit në moshën 54-vjeçare, teksa ishte në një klinikë private në qendër të Athinës, ku u pretendua se po i nënshtrohej një procedure plazmafereze (filtrimi të gjakut). Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Elpis pa puls dhe u shpall i vdekur në orën 17:40 atë pasdite.


