Pagat e magjistratëve/ Komisioni i Ligjeve miraton draftin e PS me 8 vota pro

Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste për pagat e magjistratëve.
Nisma mori 8 vota pro nga mazhoranca, ndërsa 3 deputetë të opozitës votuan kundër.
Sipas draftit të miratuar, paga referuese e magjistratëve do të llogaritet në masën 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës, nga 0.36 që është aktualisht.
Formula e propozuar nga mazhoranca ka hasur kundërshtime nga institucionet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve.
Ndërsa projektligji i PS parashikon një rritje prej rreth 8,500 lekësh për pagën referuese, kërkesa e tyre, e mbështetur edhe nga KLGJ dhe KLP, është për një rritje rreth nëntë herë më të lartë, ose afërsisht 80 mijë lekë më shumë.
Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji pritet të shqyrtohet dhe të hidhet në votim në seancën plenare të Kuvendit më 17 shtator.


