Ina Zhupa kundër qeverisë: “Thethi s’ka lidhje me zonat e mbrojtura, ndryshe nga aeroporti në Vlorë”

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj aksionit të qeverisë në Theth, duke e cilësuar si një manipulim publik që nuk ka lidhje me mbrojtjen e zonave natyrore.
E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Zhupa deklaroi se “ligji ekzistues i mbronte zonat e mbrojtura, por mazhoranca e ndryshoi me vullnet të plotë për të ndërtuar kudo, sipas interesave të veta”. Ajo theksoi se është vetë në Gjykatë Kushtetuese për të kundërshtuar këtë ndryshim ligjor që, sipas saj, ka hapur rrugën për ndërtim pa kriter.
Zhupa nuk u ndal me kaq. Ajo solli shembuj konkretë të ndërtimeve në zona që dikur kanë qenë të mbrojtura, duke akuzuar qeverinë për favorizim dhe manipulim të statusit të zonave natyrore:
“Jo vetëm që kanë ndërtuar në zona të mbrojtura, por kanë edhe projekte të tjera në këto territore. Në Butrint, kemi një pikë të vogël të Mirela Kumbaros, një kompleks vilash në gjirin e Manastirit. E kanë nxjerrë nga zona e mbrojtur për të mundësuar ndërtimin. Aeroporti i Vlorës është tjetër shembull flagrant, pasi është ndërtuar në një zonë të mbrojtur, gjë që është kundërshtuar nga Konventa e Bernës dhe ka gjetur pasqyrim edhe në Progres Raportin e BE-së.”
Sipas saj, ndërhyrja në Theth nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por është pjesë e një narrative të sajuar për të justifikuar vendimet e qeverisë në publik:
“Ky është mashtrim. Aksioni në Theth nuk ka lidhje me ruajtjen e zonave të mbrojtura. Nëse qeveria do të kishte qëllime të ndershme, nuk do të ndryshonte ligjin për t’i lejuar ndërtimet aty ku më parë ishin të ndaluara.”
Zhupa e përmbylli deklaratën me një paralajmërim: “Të mos mashtrohet publiku me gjoja aksione për natyrën, ndërkohë që në heshtje po ndërtohet në çdo zonë të mbrojtur të vendit.”


