Vendimi i Hagës, deputeti kërkon interpelancë me Ramën: Të japë llogari për...

Politikë

Vendimi i Hagës, deputeti kërkon interpelancë me Ramën:
Kreu i Grupit Parlamentar të PL-së, Tedi Blushi ka kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me dënimin e Gjykatës Speciale të Hagës ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan m 81 vite burg në total.

Në kërkesën e depozituar në Kuvend, Blushi kërkon që kryeministri të japë shpjegime mbi hapat që do të ndërmarrë qeveria shqiptare pas vendimit të 16 shtatorit, veçanërisht në lidhje me ndjekjen e mëtejshme të mjeteve juridike dhe koordinimin me institucionet e Kosovës dhe ekipet mbrojtëse.

“Ky zhvillim nuk mund të trajtohet nga Republika e Shqipërisë si një çështje që u përket vetëm të dënuarve, familjeve të tyre apo institucioneve të Kosovës. Ai ka një dimension të drejtpërdrejtë historik, juridik, politik dhe ndërkombëtar për Kosovën dhe prek edhe interesat e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht për shkak të përfshirjes së papranueshme në proces të ngjarjeve dhe vendndodhjeve në territorin shqiptar.”, thuhet në kërkesë.

Blushi kërkon gjithashtu krijimin e një mekanizmi të përhershëm koordinimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, me përfshirjen e ekspertëve juridikë, diplomatikë dhe institucionalë, për ndjekjen e zhvillimeve të mëtejshme të çështjes.

“A do të propozojë dhe krijojë Qeveria një mekanizëm të posaçëm dhe të qëndrueshëm koordinimi ndërmjet institucioneve kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me përfshirjen e ekspertëve juridikë, diplomatikë dhe institucionalë, për ndjekjen e zhvillimeve të çështjes dhe koordinimin e veprimeve në planin juridik, diplomatik dhe institucional?”, thuhet më tej në kërkesë.

Blushi kërkon përgjigje edhe për veprimet që qeveria shqiptare do të ndërmarrë në planin diplomatik, përfshirë në organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare, si NATO, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Evropës.

ME TE LEXUARAT