Rusia godet objektet energjetike dhe portuale të Ukrainës, Moska: U shënjestruan edhe instalimet e dronëve

Forcat e armatosura ruse kanë ndërmarrë një seri të re sulmesh ndaj infrastrukturës ushtarake, logjistike dhe prodhuese të Ukrainës, njoftoi Moska të enjten.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, një prej objektivave ishte një anije cisternë në portin e Izmailit, në brigjet e Detit të Zi. Moska pretendon se anija përdorej për furnizimin me karburant të forcave ukrainase.
Në të njëjtën kohë, sulmet ruse prekën edhe portin e Odesës, duke shkaktuar një tjetër valë zjarresh dhe dëmesh në një zonë të rëndësishme për infrastrukturën dhe transportin ukrainas. Sipas palës ruse, sulmet u shtrinë edhe në rajonin e Kievit, ku u godit një objekt i lidhur me prodhimin e dronëve, si dhe një kompleks transporti dhe logjistike.
Ministria e Mbrojtjes në Moskë pretendon se bëhej fjalë për një qendër ku magazinoheshin dhe shpërndaheshin komponentë për mjetet ajrore pa pilot, të përdorura nga ushtria ukrainase.
Sulmet vijnë në një periudhë kur dronët dhe infrastruktura që lidhet me prodhimin e tyre janë kthyer në një prej objektivave kryesore të të dyja palëve në luftën Rusi-Ukrainë. Megjithatë, pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes ruse nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, ndërsa nuk ka ende një vlerësim të plotë dhe të pavarur mbi dëmet e shkaktuara nga sulmet.


