Meta për rezolutën e IDU: Pasqyron krizën politike dhe institucionale në vend

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga paraburgimi pas rezolutës së Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU), e cila sipas tij denoncon ndjekjet penale me motive politike ndaj përfaqësuesve të opozitës në Shqipëri.
Në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale, Meta shpreh mirënjohje për këtë rezolutë, duke thënë se ajo pasqyron, sipas tij, situatën e rënduar politike dhe institucionale në vend, si dhe pengesat që po i vendosen procesit të integrimit europian.
Ai akuzon qeverinë për presion mbi sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se po cenohet pavarësia e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa flet për një klimë të “kapjes së shtetit” dhe “persekutimi politik” ndaj opozitës.
Meta përmend gjithashtu edhe mbështetjen ndaj opozitës në këtë forum ndërkombëtar, duke veçuar pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Sali Berisha.
Në reagimin e tij, ai e cilëson rastin e tij si shkelje të të drejtave themelore dhe të prezumimit të pafajësisë, duke kritikuar mënyrën se si po zhvillohen procedurat ndaj tij.
“Mirënjohje të thellë për Bashkimin Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU), organizatën globale të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, për vëmendjen e posaçme ndaj Shqipërisë dhe për miratimin e një rezolute të rëndësishme, e cila pasqyron me realizëm dhe përgjegjësi gjendjen e rënduar dhe krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në vend.
Falënderim për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për denoncimin e qartë të pengesave që Narkoregjimi i Edi Ramës i ka vënë këtij procesi, përmes kapjes dhe kriminalizimit të shtetit, farsave zgjedhore dhe përndjekjes politike të tre drejtuesve kryesorë të opozitës.
Mirënjohje e veçantë për delegacionin shqiptar, të kryesuar nga lideri i Partisë Demokratike dhe i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha, për përfaqësimin në Forumin e IDU, si dhe për evidentimin e rastit “Meta” si një shembull skandaloz të shkeljes flagrante të lirive themelore, prezumimit të pafajësisë dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që mishërohen në praktikën kriminale dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës, ku dy orë pasi rrëmbehesh, arrestohesh dhe pasi "shpallesh fajtor” si terrorist në kafaz “me 5 yje”, pastaj fillon dhe "gjykohesh", shkruan Meta.


