Kompensimi i familjeve të prekura nga zjarri te ‘Arlis’, Ristani: Bashkia dhe qeveria të gatshme për mbështetje

Politikë

Kompensimi i familjeve të prekura nga zjarri te ‘Arlis’,

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për dy çështje të rëndësishme që kanë prekur qytetin: situatën e familjeve të dëmtuara nga zjarri në kompleksin “Arlis” dhe vështirësitë e operatorëve të transportit publik për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve.

Duke u ndalur te zjarri në kompleksin “Arlis”, Ristani theksoi se dhjetëra familje kanë mbetur përkohësisht pa banesë, ndërsa dëmet janë kryesisht materiale. Ajo vlerësoi ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse dhe institucioneve për menaxhimin e situatës, duke theksuar se prioritet ka qenë mbrojtja e jetës së qytetarëve.

Sipas saj, Bashkia ka reaguar menjëherë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur, duke garantuar bonus qiraje për strehim të përkohshëm deri në momentin e rikonstruksionit dhe rehabilitimit të banesave të dëmtuara. Ndihma financiare do të vazhdojë për gjithë periudhën e nevojshme deri në rikthimin e kushteve normale të jetesës për familjet.

Në vijim të fjalës së saj, Ristani u ndal edhe te situata në sektorin e transportit publik, duke theksuar se rritja globale e çmimit të naftës ka ndikuar ndjeshëm në kostot operacionale të kompanive që ofrojnë shërbimin në Tiranë.

Ajo sqaroi se Bashkia operon me kontrata me operatorë privatë dhe se rritja e shpenzimeve ka krijuar vështirësi të mëdha për qëndrueshmërinë e këtij shërbimi. Në këtë kuadër, ajo kërkoi nga këshilltarët bashkiakë mbështetje për projektvendimin e qeverisë që parashikon kompensim prej 50 lekësh për litër karburant për kompanitë e transportit publik.

Sipas saj, kjo masë është e domosdoshme për të garantuar vijimësinë e shërbimit dhe për të shmangur ndikimet negative të krizës energjetike mbi qytetarët që përdorin transportin publik çdo ditë.

ME TE LEXUARAT