Dosja Xibraka/ Rama “shigjeton” Bardhin: Je B i vogël me gojë të madhe
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nënkryetarit të PD-së, Gazment Bardhi në lidhje me dosjen “Xibraka” dhe kallëzimin e tij në SPAK.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Rama tallet me Bardhin, teksa e quan “B” të vogël me gojë të madhe.
Kreu i qeverisë thotë se Bardhi nuk ka dorëzuar kallëzim në SPAK, por dorëzoi një informacion shtesë për t’ju shmangur rrezikut që i vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë.
Rama kërkon që SPAK të marrë një vendim, ose t’i heqë lirinë vëllait të tij Olsi Rama nëse është i përfshirë në dosjen “Xibraka”, ose të dërgojë nënkryetarin e PD-së para drejtësisë.
“Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull!
Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.
Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit!
Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme”,shkruan kryeministri.