"Krim mjedisor!", Mbetjet në Hysgjokaj digjen pas denoncimit të Korreshit, reagon deputeti: Lushnjarët po helmohen!

Një ditë pasi denoncoi publikisht grumbullimin e mbetjeve në Hysgjokaj, Lushnjë, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, publikoi pamje të reja nga e njëjta zonë, këtë herë të përfshirë nga flakët dhe tymi i dendur.
Sipas Korreshit, mbetjet që ai denoncoi një ditë më parë janë djegur qëllimisht për të fshehur ndotjen që prej kohësh, sipas tij, ekziston në zonë.
“Sot, pasi panë videon e denoncimit të plehrave të Lushnjë, i kanë vënë flakën. Shikoni çfarë situate dhe çfarë batërdie. Qytetarët paguajnë taksa për pastrim dhe gjelbërim, ndërsa këto taksa po përkthehen në një fije shkrepëse për t’u vënë zjarrin plehrave”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat e cilësoi situatën si një “masakër mjedisore”, duke paralajmëruar se flakët mund të përhapeshin edhe në zonën pyjore pranë vendgrumbullimit.
Ai tha se tymi dhe ndotja e shkaktuar nga djegia përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e banorëve.
“Ky është krim mjedisor. Gjithë ai tym dhe substanca kancerogjene shkojnë në mushkëritë e qytetarëve të Lushnjë”, u shpreh Korreshi.
Sipas tij, djegia e mbetjeve nuk është zgjidhje, por një tjetër formë ndotjeje që rrezikon mjedisin dhe shëndetin e banorëve.


