Ministri kërkon shkrirjen e zinxhirit komandues në Sarandë / Largohet Feliks Hoda, ja kush merr drejtimin e komisariatit

Kryekomisari Saimir Shkambaj është emëruar në krye të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ndryshimeve të firmosura nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Shkambaj vjen nga Tropoja, ku drejtonte komisariatin e policisë. Feliks Hoda, i cili drejtonte Komisariatin e Sarandës prej rreth tre muajsh, transferohet në të njëjtën detyrë në Dibër.
Siç raportohet nga mediat . Saimir Shkambaj ka shërbyer fillimisht si specialist për krimet në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Në vitin 2019 u emërua shef i Seksionit të Operacioneve Speciale në këtë drejtori.
Më pas mori drejtimin e Komisariatit të Tropojës, ndërsa tani është emëruar shef i Komisariatit të Sarandës.
Ndryshimi në Sarandë vjen pak ditë pas atentatit në qendër të qytetit, ku u vra 44-vjeçari Artan Myrtaj.
Për këtë ngjarje, Policia e Shtetit kishte zhvilluar edhe një analizë me strukturat vendore. Dy ditë më parë ministri i brendshëm kishte kërkuar shkrirjen e zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Sarandë.


