Nëntë të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok, ndalohen për 48 orë

Kosovë&Rajon

734723-ZQQLLU4l2A.png

Nëntë persona të arrestuar të dielën në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile, janë ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, personat me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”, ndërsa hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga njësi të tjera të Policisë së Kosovës, kanë realizuar kontrolle në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.

 

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie, si dhe fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë.

Po ashtu, sipas autoriteteve, janë sekuestruar katër predha, rreth 23 mijë euro dhe rreth 60 mijë dinarë serbë, si dhe prova e materiale të tjera që dyshohet se lidhen me rastin.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë ndjekjen penale të personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.

 

ME TE LEXUARAT