Mark Zuckerberg zbulon orën e tij të preferuar, modeli i shqiptarit Rexhep Rexhepit po 'çmend' koleksionistët

Showbiz

1790331595_markzuckerberg.jpg
Njeriu i katërt më i pasur në botë, Mark Zuckerberg, ka zbuluar së fundmi se ora që nuk heq nga dora është e krijuar nga një shqiptar. 

Gjatë një rubrike me pyetje të shpejta përpara konferencës vjetore të Meta-s, themeluesi i kompanisë zbuloi se bëhet fjalë Chronomètre Contemporain I i krijuar nga Rexhep Rexhepi.

 "Oh është një krijim i Rexhepit. shtë fantastik!" tha Zuckerberg.
Nuk kemi të bëjmë me një orë të zakonshme. 

Modeli, me kasë prej ari me nuancë rozë 18 karatësh dhe numërues të zi me smalt  i punuar me teknikën artizanale "grand feu", që realizohet duke pjekur smaltin në temperatura shumë të larta, doli fillimisht në treg me një çmim rreth 55-60 mijë dollarë.

Sot, sipas vlerësimeve të tregut dhe ankandeve, vlera e saj ka shkuar në 1 milion dollarë.

Rritja marramendëse e çmimit lidhet me faktin se Rexhep Rexhepi është kthyer në një nga emrat më të kërkuar të orëndreqësisë së pavarur.

Punishtja e tij në Gjenevë prodhon vetëm 40 deri në 50 orë në vit, të gjitha të punuara me dorë dhe në seri shumë të kufizuara.

Historia e tij është po aq e veçantë sa edhe orët që krijon. I lindur në Kosovë, ai u zhvendos me familjen në Gjenevë në moshën 11-vjeçare. Në moshën 15 vjeçare nisi praktikën te Patek Philippe, më pas punoi në disa nga emrat më të njohur të industrisë, ndërsa në moshën 25-vjeçare themeloi markën e tij, Akrivia.

Megjithatë, vetë Rexhepi nuk duket i tunduar nga milionat. Në një intervistë ai ka treguar se ka refuzuar oferta prej 800 mijë dollarësh dhe madje edhe 1 milion dollarësh për modele që nuk prodhohen më, duke këmbëngulur se nuk do të rikthejë në prodhim një orë vetëm sepse dikush është gati të paguajë më shumë.

ME TE LEXUARAT