Numërohen shumica e votave në Kosovë, LVV-ja kryeson garën zgjedhore

Kosovë&Rajon

Numërohen shumica e votave në Kosovë, LVV-ja kryeson garën

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës nuk kanë ndryshuar renditjen e forcave politike në Kosovë, por kanë sjellë lëvizje në mbështetjen elektorale të partive.

Sipas rezultateve preliminare pas numërimit të 99.40 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë sërish forca e parë politike në vend me 42.92 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ruajtur pozitën e dytë me 21.06 për qind të votave.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka siguruar 17.61 për qind të votave.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 7.18 për qind të votave.

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate (PSD) nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim parlamentar. Sipas rezultateve preliminare, ajo ka marrë vetëm 0.27 për qind të votave, ose më pak se 2 mijë vota në nivel vendi.

Procesi zgjedhor është karakterizuar edhe nga një pjesëmarrje më e ulët e qytetarëve. Dalja në votime ka qenë 36.38 për qind, krahasuar me 44.99 për qind në zgjedhjet e dhjetorit 2025. Kjo nënkupton se rreth 200 mijë votues më pak kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Rezultatet përfundimtare pritet të plotësohen pas numërimit të votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë qytetarë të Kosovës të regjistruar jashtë vendit kanë votuar në forma të ndryshme dhe votat e tyre mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve në Kuvend.

ME TE LEXUARAT