Në Pustec u injorua himni shqiptar, reagon kryebashkiaku: Kërkoj ndjesë! Edhe kryeministri maqedonas u shqetësua

Kosovë&Rajon

Në Pustec u injorua himni shqiptar, reagon kryebashkiaku: Kërkoj

Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, ka reaguar pas mungesës së himnit kombëtar shqiptar në ceremoninë e zhvilluar në kuadër të Festivalit Folklorik Maqedonas, ku u ekzekutua vetëm himni maqedonas.


Kolefski tha se, përpara zhvillimit të aktivitetit, kishte kërkuar nga organizatorët programin zyrtar dhe kishte insistuar që, krahas himnit maqedonas, të ekzekutohej edhe himni shqiptar.


Kolefski kërkoi ndjesë për situatën, edhe pse theksoi se Bashkia Pustec nuk ishte organizatore e aktivitetit, por vetëm kishte marrë pjesë si e ftuar.

“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO Shqipëri. I kam kërkuar programin zyrtar ku më kanë thënë që ka këngë e valle tradicionale maqedonase dhe do hapet me himnin maqedonas.

Ja kam kërkuar që në momentin që do ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare.

Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni.

Kërkoj ndjesë vërtet pavarësisht se nuk më takon mua sepse skam qenë organizator si bashki e Pustecit, si organizatore e këtij aktiviteti. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert megjithatë kërkoj ndjesë”, tha kryebashkiaku.

Sipas Kolefskit, edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i pranishëm në aktivitet, nuk e ka pritur mirë situatën.

“Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë.  Të tre flamujt i kemi çuar nga bashkia si simbol për miqësi midis të dy shteteve që aspirojnë për të shkuar në BE. Kam folur me kryeministrin maqedonas, ishte shumë i shqetësuar në ato momente sepse edhe unë u ndjeva shumë keq dhe e kap kapur si situatë. Por ishte një moment që s’mund të reagoja fare”, tha ai.

ME TE LEXUARAT