FOTO/ Varrezat masive në Zubin Patok, identifikohen 3 prej viktimave

Tre shqiptarë të zhdukur gjatë luftës së Kosovës janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, pas zhvarrimit të mbetjeve mortore nga varrezat masive të zbuluara në veri të Kosovës.
Bëhet fjalë për Idriz Rrecajn, Adem Beqirin dhe Salih Mëziun, të tre pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, një grup prej 23 shqiptarësh që u rrëmbyen dhe u zhdukën në prill të vitit 1999.
Mbetjet mortore u zbuluan në lokacione të ndryshme në zonën e Zubin Potokut, ndërsa identifikimi u bë i mundur pas ekzaminimeve dhe analizave të ADN-së.

Mes viktimave është edhe Idriz Rrecaj, veprimtar politik nga Skenderaj, i cili në vitin 2019 u dekorua me titullin “Hero i Kosovës”. Rrecaj ishte ndër 23 shqiptarët që u zhdukën në kohën kur luftimet dhe operacionet e forcave serbe në Kosovë ishin intensifikuar.
Identifikimi i tre viktimave u bë i ditur një ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai deklaroi se analizat e ADN-së kishin konfirmuar se mbetjet e gjetura në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut i përkisnin pjesëtarëve të “grupit të intelektualëve”.
Grupi përbëhej kryesisht nga shqiptarë të zonës së Skenderajt dhe Mitrovicës, të cilët, sipas autoriteteve të Kosovës, u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Për dekada, fati i tyre ka mbetur i pazbardhur, ndërsa zbulimi i mbetjeve dhe identifikimi përmes ADN-së ka rikthyer në vëmendje një prej episodeve të zhdukjeve gjatë luftës së Kosovës.


