Dhunoi të moshuarën në azil, dënohet me 2 vjet e 3 muaj burg infermierja

Kosovë&Rajon

Dhunoi të moshuarën në azil, dënohet me 2 vjet e 3 muaj burg

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtore Aurona Pelajn, ish-infermiere në një qendër kujdesi për të moshuarit, duke e dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg për dhunën e ushtruar ndaj një gruaje të moshuar në vitin 2022.

Sipas vendimit të gjykatës, Pelaj u dënua për sulmin ndaj një të moshuare të diagnostikuar me Alzheimer, e cila ndodhej nën përkujdesjen e institucionit ku ajo punonte.

Gjyqtari Alan Taranis bëri të ditur se e pandehura, duke shfrytëzuar pozitën e saj si infermiere dhe duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e pambrojtur të viktimës, e kapi gruan nga të dyja duart, i kufizoi mundësinë për t’u mbrojtur, e mbështeti pas murit dhe e goditi disa herë me shuplaka në fytyrë.

Gjykata vendosi që në dënimin prej 2 vjetësh e 3 muajsh të llogaritet edhe koha që Pelaj ka kaluar në paraburgim, nga 2 deri më 24 nëntor 2022. Pjesa e mbetur e dënimit do të vuhet pasi vendimi të marrë formë të prerë.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi edhe masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për pesë vjet, afat që do të nisë pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

ME TE LEXUARAT