‘Bizneset rrezikojnë gjoba’, profesionistët e lirë letër QKB-së: Sqaroni pasqyrat financiare

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar ditës së sotme me një shkresë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), duke kërkuar një qëndrim zyrtar mbi informimet që po iu jepet bizneseve të organizuara si persona juridik, për detyrimin e depozitimit dhe publikimin të pasqyrave financiare në QKB pavarësisht xhiros vjetore të tyre.
Aktualisht sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe “Për tatimin mbi të ardhurat” pavarësisht mënyrës së organizimit të bizneseve, qoftë persona juridik apo shpk, detyrimi për depozitimin në QKB të pasqyrave financiare është vetëm për bizneset me xhiro vjetore mbi 5 mln lekë.
Sipas APL-së, interpretimet e ndryshme të legjislacionit kanë krijuar paqartësi te profesionistët dhe bizneset, duke shtuar rrezikun e penaliteteve për mosdorëzimin e pasqyrave financiare.
Sipas anëtarëve të APL në rast të depozitimit të pasqyrave financiare, bizneset gjobiten me gjobë në masën 60 mijë lekë.
Për rrjedhojë APL vlerëson si të domosdoshme një qëndrim zyrtar të QKB-së mbi këtë çështje, në mënyrë që profesionistët dhe subjektet të kenë siguri juridike dhe të shmangen interpretime të ndryshme në zbatimin e legjislacionit për të shmangur penalitetet për mosdorëzimin e pasqyrave financiare.
Shkresa e Alencës së Profesionistëve të lirë dorëzuar Qendrës Kombëtare të Biznesit
“Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), e përbërë nga shumë profesionistë ndër të cilët edhe nga kontabilistë të miratuar, shefa finance që hartojnë pasqyra financiare dhe auditues ligjorë, ka marrë gjatë kësaj periudhe shqetësime të shumta nga anëtarët lidhur me detyrimin për depozitimin dhe publikimin e pasqyrave financiare nga mikronjësitë ekonomike me të ardhura nën 5 milionë lekë. Nga komunikime informale është krijuar përshtypja se të gjithë personat juridikë kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Megjithatë, ky interpretim duket se nuk përputhet me kuadrin ligjor në fuqi.
Konkretisht, ndryshimet e SKK 15 të miratuara në vitin 2022, të cilat zgjerojnë fushën e zbatimit për të gjitha mikronjësitë ekonomike, janë shtyrë me Urdhrin nr. 291, datë 30.12.2022, dhe hyjnë në fuqi vetëm për periudhat kontabël që fillojnë nga data 1 janar 2028. Për rrjedhojë, deri në hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve, rezulton se detyrimi për hartimin, depozitimin dhe publikimin e pasqyrave financiare sipas SKK 15 vijon të zbatohet vetëm për mikronjësitë që realizojnë mbi 5 milionë lekë të ardhura vjetore nga veprimtaria ekonomike. Në përputhje dhe me UMF nr. 26, datë 8.9.2023, të ndryshuar, neni 61, pika 6.
Gjithashtu, forma e organizimit të subjektit (person juridik apo person fizik) apo regjimi i tatimit mbi të ardhurat nuk përbëjnë kritere ligjore për përcaktimin e këtij detyrimi, pasi klasifikimi si mikronjësi rregullohet nga legjislacioni i kontabilitetit dhe bazohet në kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 25/2018 apo ligjit 29/2023 bashkë me aktet nënligjore.
Për sa më sipër, do të vlerësonim një qëndrim zyrtar të QKB-së mbi këtë çështje, në mënyrë që profesionistët dhe subjektet të kenë siguri juridike dhe të shmangen interpretime të ndryshme në zbatimin e legjislacionit për të shmangur penalitetet për mosdorëzimin e pasqyrave financiare.
Ju falënderojmë paraprakisht për vëmendjen dhe mbetemi në pritje të përgjigjes suaj”.


