Atmosferë elektrizuese në Kosovë/ Kryeqyteti dekorohet me flamuj kuq e zi para nisjes së protestës për UÇK-në

Sot në 18 shtator në mesditë sheshi kryesor në Prishtinë po merr pamje krejtësisht tjetër pasi është mbushur me flamuj kombëtarë, flamuj të Kosovës dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka organizuar një protestë masive për të kundërshtuar vendimet e fundit dhe zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë që lidhen me katër ish-krerët kryesorë të UÇK-së Hashim Thaçin Kadri Veselin Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ndërsa qytetarët nga të gjitha trojet kanë filluar të mblidhen në shesh për të shprehur pakënaqësinë e tyre, institucionet e rendit kanë marrë masa duke vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës pranë objekteve shtetërore për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit pa incidente.
Organizatorët kanë paralajmëruar se fjalimet zyrtare do të fillojnë fiks në orën dymbëdhjetë për t’u drejtuar mijëra protestuesve dhe për të dërguar një mesazh të fortë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë.


