15 vite burg për Harvey Weinstein/ Ish-producenti i Hollivudit dënohet për sulm seksual

Producenti i njohur hollivudian Harvey Weinstein është dënuar me 15 vite burg për sulmin seksual ndaj ish-asistentes së produksionit, Miriam Haley, në vitin 2006.
Dënimi vjen pas rrëzimit të një vendimi të mëparshëm dhe dy proceseve gjyqësore që nuk përfunduan me një vendim përfundimtar.
Çështja përbën një tjetër kapitull të rëndësishëm në sagën ligjore nëntëvjeçare ndaj ish-producentit të Hollywood-it, e cila u bë një nga rastet që ndikuan në përhapjen globale të lëvizjes #MeToo.
Sipas Variety, pas dënimit në Nju Jork, Weinstein do t’i nënshtrohet edhe një rivlerësimi të dënimit në Kaliforni, lidhur me përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj modeles dhe aktores italiane Evgeniya Chernyshova në një hotel në Los Angeles në vitin 2013.
Gjykatësi Curtis Farber deklaroi se i takon autoriteteve të Kalifornisë të përcaktojnë nëse dënimi atje do të vuhet njëkohësisht apo pas përfundimit të dënimit në Nju Jork. Ende nuk është caktuar një datë për këtë procedurë.
Në një deklaratë emocionale pas vendimit, Haley tha se nuk e kishte menduar se do të rikthehej në gjykatë gjashtë vite pas dënimit të parë.
“Sigurisht që nuk mendoja se do të isha këtu përsëri gjashtë vjet pas dënimit të parë. Besoj se ky do të jetë i fundit im”, u shpreh ajo.
Haley foli gjithashtu për procesin e gjatë dhe të vështirë të dëshmisë në gjykatë, duke përmendur pyetjet e kryqëzuara që, sipas saj, synonin ta nënçmonin, si dhe ngacmimet dhe kërcënimet që kishte marrë në internet.


