Fati tragjik i nënës dhe vajzës! Dy vdekje, vetëm 10 orë larg njëra-tjetrës

Një histori e dhimbshme ka tronditur një familje në Brazil, pasi një 28-vjeçare dhe nëna e saj 56-vjeçare humbën jetën nga kanceri, me vetëm 10 orë diferencë.
Cibele Marchis, 28 vjeçe, ndërroi jetë të enjten rreth orës 16:00 në një spital në Mogi Guaçu, pas një beteje me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit të gjëndrës mbiveshkore. Dhjetë orë më vonë, rreth orës 02:00 të së premtes, ndërroi jetë edhe nëna e saj, Maria Elisabete Nogueira, 56 vjeçe, e cila ishte shtruar në një tjetër spital të qytetit.
Cibele ishte diagnostikuar me sëmundjen në vitin 2024. Gjatë kësaj periudhe iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kimioterapisë, ndërsa vazhdoi të punonte dhe të ndante me të tjerët përvojën e saj gjatë luftës me sëmundjen.
Rreth një vit më pas, edhe Maria u përball me një diagnozë të rëndë: kancer në pankreas. Ajo fillimisht kishte kërkuar ndihmë mjekësore për dhimbje që i kishte lidhur me problemet e tëmthit, por ekzaminimet zbuluan praninë e tumorit.
Nëna dhe vajza u kthyen në mbështetjen kryesore të njëra-tjetrës gjatë kësaj periudhe. Familjarët tregojnë se Maria madje kishte agjëruar për 24 orë dhe ishte lutur për shërimin e vajzës. Gjendja e Cibeles u përmirësua për një periudhë, por më vonë edhe ajo pësoi një rëndim të gjendjes dhe u shtrua në spital.
Ndërkohë, sëmundja e Marias përparoi me shpejtësi. Dhimbjet u bënë të padurueshme dhe ajo kishte nevojë për trajtim me morfinë. Më 17 shtator u shtrua në spital, ku qëndroi deri në momentet e fundit.
Takimi i fundit mes tyre ndodhi gjatë kohës që Cibele vizitoi nënën në spital. Pak ditë më vonë, edhe 28-vjeçarja u shtrua për trajtim.
Familjarët u përballën më pas me një tragjedi të dyfishtë. Fillimisht morën lajmin për vdekjen e Cibeles dhe vetëm disa orë më vonë mësuan se kishte ndërruar jetë edhe Maria.
Cibele ishte fëmija i vetëm i familjes. Pas humbjes së saj dhe të bashkëshortes, babai i 28-vjeçares mbeti i vetëm.
Një nga detajet më prekëse të historisë është se nënë e bijë kishin shprehur më herët dëshirën që, nëse njëra do të ndërronte jetë, tjetra të mos e merrte vesh lajmin sa ishte ende gjallë. Familjarët thanë se dëshira e tyre u realizua.
Nëna dhe vajza u përcollën së bashku në banesën e fundit, në një ceremoni të përbashkët mortore, mes familjarëve dhe miqve të tyre.


