Deri në 25 mijë koreano-veriorë prodhojnë dronë lufte në fabrikat ruse

Bota

1790252004_dron.jpg
Në fabrikat ruse ku montohen dronë për luftën në Ukrainë mund të punojnë deri në 25 mijë shtetas të Koresë së Veriut. Shifra, e raportuar nga media ukrainase dhe Radio Evropa e Lirë, lidhet kryesisht me zonën industriale të Alabugës, në Tatarstan, ku prodhohen edhe versione ruse të dronëve iranianë “Shahed”.

Për Rusinë, punëtorët koreano-veriorë ndihmojnë të mbahen në punë linjat e prodhimit në një kohë kur lufta ka shtuar mungesën e fuqisë punëtore. Për Korenë e Veriut, puna e tyre sjell të ardhura që, sipas një raporti ndërkombëtar për monitorimin e sanksioneve, përfundojnë kryesisht në duart e regjimit të Kim Jong-unit.

Raporti vlerëson se në fund të vitit 2025 në Rusi ndodheshin nga 15 mijë deri në 30 mijë punëtorë koreano-veriorë. Ai përmend deri në një mijë të punësuar në objekte strategjike, mes tyre uzina të mbrojtjes. 

Punësimi i tyre jashtë Koresë së Veriut është i ndaluar na sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas raportit, një mënyrë për ta anashkaluar ndalimin është hyrja në Rusi me viza studentore ose turistike. Nga më shumë se 36.400 viza që Rusia u dha shtetasve koreano-veriorë gjatë vitit 2025, rreth 35.800 ishin studentore.

Punëtorët, sipas raportit, mbahen nën mbikëqyrje, jetojnë në konvikte të mbyllura dhe kanë lëvizje të kufizuar.  Ata fitojnë mesatarisht rreth 7.500 dollarë në vit, por nuk e marrin vetë pjesën më të madhe të pagës: shteti i Koresë së Veriut ua konfiskon të ardhurat nga puna jashtë vendit dhe i mban për regjimin në Phenian.Raporti vlerëson se puna e shtetasve të saj jashtë vendit i solli Koresë së Veriut deri në 800 milionë dollarë vetëm gjatë vitit 2025.

Kështu, bashkëpunimi mes Moskës dhe Phenianit shkon përtej dërgimit të ushtarëve dhe armëve koreano-veriore në mbështetje të Rusisë. Ai shtrihet edhe në fabrikat që prodhojnë mjetet me të cilat goditen qytetet dhe infrastruktura e Ukrainës.

ME TE LEXUARAT