Zgjedhjet presidenciale të 2027 në Francë, tre kandidatët akuza Rusisë se po tenton të ndërhyjë

Bota

Zgjedhjet presidenciale të 2027 në Francë, tre kandidatët

Ish-kryeministri i Francës, Gabriel Attal, ka denoncuar se është bërë objekt i një fushate dezinformimi me origjinë nga Rusia, në prag të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen në prill të vitit 2027.

Attal, i cili do të kandidojë me partinë Renaissance të presidentit Emmanuel Macron, deklaroi se ka qenë viktimë e një përpjekjeje për ndërhyrje të huaj në procesin zgjedhor. Ai paralajmëroi se përpjekjet për destabilizim pritet të intensifikohen sa më shumë të afrojnë zgjedhjet.

Denoncimi i tij u konfirmua edhe nga Viginum, shërbimi francez përgjegjës për luftën kundër dezinformimit në internet. Sipas këtij institucioni, operacioni është identifikuar dhe i atribuohet, me “shkallë të lartë sigurie”, taktikave pro-ruse të dezinformimit.

Attal është kandidati i tretë i mundshëm për presidencën që denoncon një shënjestrim të tillë. Më herët, akuza të ngjashme kishte bërë edhe ish-kryeministri Édouard Philippe, ndërsa pak ditë më vonë eurodeputeti i qendrës së majtë, Raphaël Glucksmann, njoftoi se ishte bërë objekt i një “operacioni rus” dezinformimi, sipas Politico.

Në një intervistë për radion RTL, Attal tha se fushata kundër tij përfshinte artikuj të manipuluar mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe qëndrimet e tij politike. Sipas tij, publikimet e rreme ishin krijuar për t’u dukur si raportime të mediave të njohura franceze.

“Rusia dëshiron t’ua vjedhë zgjedhjet francezëve”, deklaroi ai.

Viginum kishte paralajmëruar që në vitin 2024 për një fushatë të ngjashme pro-ruse dezinformimi me emrin e koduar “Matriochka”, gjatë së cilës përdoreshin artikuj të rremë që imitonin pamjen dhe identitetin e mediave të njohura franceze.

Nga ana e qeverisë, kryeministri Sébastien Lecornu deklaroi se lufta kundër ndërhyrjeve të huaja dhe mbrojtja e procesit demokratik përbëjnë një nga prioritetet kryesore.

Ai bëri të ditur se autoritetet kanë identifikuar tashmë disa raste të ndërhyrjeve të huaja që kishin në shënjestër kandidatë për president dhe se, në çdo rast, personat e përfshirë janë njoftuar menjëherë nga autoritetet kompetente.

ME TE LEXUARAT