Përplasje në OKB, nëntë vende rrëzojnë pretendimin e Rusisë për mbylljen e Mekanizmit Ndërkombëtar Penal

Nëntë vende europiane kanë rrëzuar pretendimin e Federatës Ruse se Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Gjykatat Penale ka pushuar së ekzistuari më 1 korrik, duke argumentuar se ai vijon të funksionojë në përputhje me statutin e tij dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në një letër të përbashkët të datës 28 korrik drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesit e përhershëm të Bahreinit, Kolumbisë, Danimarkës, Francës, Greqisë, Letonisë, Panamasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara iu referohen letrave të Rusisë të datave 2 dhe 21 korrik, ku pretendohej se Mekanizmi kishte pushuar së ekzistuari më 1 korrik.
“Analiza e përfshirë në këto letra dhe përfundimet e tyre janë të pasakta”, deklarojnë nëntë vendet.
Ato i referohen paragrafit 17 të rezolutës 1966 (2010) të Këshillit të Sigurimit, ku përcaktohet se Mekanizmi vijon të funksionojë për periudha dyvjeçare pas çdo rishikimi të punës së tij nga Këshilli i Sigurimit, “përveç rasteve kur Këshilli vendos ndryshe”.
Sipas letrës, Këshilli i Sigurimit dhe anëtarët e tij kanë diskutuar për muaj me radhë për ecurinë e punës së Mekanizmit, ndërsa është zhvilluar një proces rishikimi bazuar në materialet e nevojshme dhe në përputhje me praktikën e mëparshme të Këshillit.
“Mungesa e një përfundimi me konsensus nga ky proces rishikimi nuk e ndryshon faktin që rishikimi është kryer”, thuhet në letër.
Nëntë vendet theksojnë gjithashtu se, megjithëse është “për të ardhur keq” që Këshilli i Sigurimit nuk arriti të miratojë një rezolutë, miratimi i saj nuk përbën një kusht për vazhdimin e funksionimit të Mekanizmit sipas rezolutës 1966 (2010).
“Këshilli nuk ka marrë një vendim pozitiv për mbylljen e Mekanizmit dhe, për këtë arsye, ai vijon të funksionojë në përputhje me statutin e tij dhe rezolutat në fuqi të Këshillit të Sigurimit”, nënvizojnë vendet firmëtare.
Në letër thuhet se ky është edhe qëndrimi i Sekretariatit të OKB-së, i sqaruar në një komunikim të sekretarit të përgjithshëm drejtuar presidentit të Këshillit të Sigurimit më 1 korrik 2026.
Në të njëjtën letër, sekretari i përgjithshëm njoftoi Këshillin për riemërimin e gjyqtarëve të Mekanizmit dhe të gjyqtares Gatti Santana si presidente të tij.
Nëntë vendet nënvizojnë gjithashtu se Këshilli i Sigurimit ka përgjegjësi të rëndësishme për të marrë gjatë këtij viti vendimet e nevojshme për arritjen e “kursimeve të konsiderueshme financiare” dhe për të nxitur reformat.
Ndër çështjet që duhet të trajtohen përfshihen mbyllja e dy strukturave kryesore të Mekanizmit, transferimi i arkivave të tij, si dhe transferimi apo përfundimi i një sërë funksionesh të tjera.
“Ne mbetemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultime për të arritur reforma të rëndësishme dhe të përgjegjshme, pa cenuar trashëgiminë e rëndësishme të drejtësisë penale ndërkombëtare që lidhet me Mekanizmin dhe institucionet që e kanë paraprirë atë”, thuhet në fund të letrës.


