Zelensky bisedë telefonike me kryeministrin sllovak: Kemi nevojë për marrëdhënie të forta

Bota

Zelensky bisedë telefonike me kryeministrin sllovak: Kemi nevojë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin sllovak Robert Fico, ku theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Kievit dhe Bratislavës.

Pas telefonatës, Zelensky deklaroi se të dyja palët janë të interesuara për bashkëpunim më të ngushtë dhe marrëdhënie të qëndrueshme mes dy vendeve.

Ai e cilësoi inkurajues faktin që Sllovakia mbështet aspiratën e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe është e gatshme të ndajë përvojën e saj në procesin e integrimit.

Presidenti ukrainas bëri të ditur gjithashtu se e ka ftuar Robert Ficon për një vizitë në Kiev, ndërsa ka marrë edhe ftesë për të vizituar Bratislavën. Sipas tij, ekipet respektive do të punojnë për caktimin e datave.

Telefonata vjen pas tensioneve diplomatike të muajve të fundit mes dy vendeve, të lidhura me ndërprerjen e transitit të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba.

Pas rifillimit të furnizimeve në fund të muajit të kaluar, raportet mes palëve duket se po hyjnë në një fazë të re normalizimi.

ME TE LEXUARAT