“Tërheqja e trupave amerikane, thirrje zgjimi”, reagon kryetari i Komitetit të Mbrojtjes: Nuk ka arsye për panik

Bota

“Tërheqja e trupave amerikane, thirrje zgjimi”, reagon kryetari

Planet e SHBA-së për të tërhequr 5,000 trupa nga Gjermania kanë shkaktuar reagime të forta në Berlin, ku zyrtarët e konsiderojnë vendimin si një sinjal serioz për sigurinë europiane.

Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes të Bundestagut, Thomas Rowekamp, e cilësoi lëvizjen si “një thirrje zgjimi”, por jo arsye për panik. Sipas tij, Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe të forcojë kapacitetet ushtarake së bashku me partnerët europianë në NATO.

Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se partneriteti i sigurisë nuk është një pazar dhe se provokimet e vazhdueshme janë të papranueshme.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Partisë së Gjelbër për mbrojtjen, Sarah Nanni, kërkoi një përgjigje të koordinuar europiane, duke theksuar se kontinenti duhet të tregojë peshën e tij strategjike në raport me SHBA-në.

Ndërkohë, ekspertë të CDU-së vlerësuan se tërheqja e trupave është pjesë e planeve afatgjata amerikane, ndërsa të tjerë e lidhën me presionin politik që Trump po përballet para zgjedhjeve të mesmandatit.

Aktualisht rreth 38 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në Gjermani, ndërsa Pentagoni ka njoftuar se 5 mijë prej tyre do të largohen brenda 6 deri në 12 muajt e ardhshëm.

ME TE LEXUARAT