Vrasja makabër në Indi, gruaja i futi gjarprin helmues në dhomën e gjumit bashkëshortit, planin e thur me shoferin e autobusit

Bota

Vrasja makabër në Indi, gruaja i futi gjarprin helmues në

Një ngjarje që ngjan me një skenar filmi kriminal ka tronditur Indinë, ku autoritetet dyshojnë se një grua 32-vjeçare organizoi vrasjen e bashkëshortit të saj duke përdorur një gjarpër shumë helmues, me synimin që vdekja të dukej si një aksident.

Viktima është identifikuar si Atul Kumar Panwar, 32 vjeç, pronar i një kopshti privat në zonën Meerut të shtetit Uttar Pradesh. Ai u gjet i pajetë të premten në mëngjes në banesën me qira ku jetonte me bashkëshorten dhe djalin e tyre 6-vjeçar.

Sipas hetimeve të policisë, bashkëshortja e tij, Damini, dyshohet se planifikoi krimin në bashkëpunim me shoferin e autobusit të kopshtit, Tushar, me të cilin autoritetet pretendojnë se kishte një lidhje jashtëmartesore.

Hetuesit besojnë se fillimisht ata i dhanë viktimës qumësht të përzier me tableta gjumi. Pasi ai ra në gjumë, dyshohet se përdorën një gjarpër të llojit krait, një nga speciet më helmues në Azi, për ta kafshuar ndërsa flinte. Qëllimi ishte që vdekja të interpretohej si pasojë e një kafshimi aksidental nga gjarpri.

Të nesërmen në mëngjes, gruaja njoftoi fqinjët se bashkëshorti kishte vdekur nga kafshimi i një gjarpri. Zvarraniku u gjet mbi shtratin e viktimës dhe u vra në vend nga personat që ndodheshin aty. Në trupin e 32-vjeçarit u konstatuan shenja kafshimi në dorë dhe në këmbë, çka bëri që fillimisht rasti të konsiderohej aksident.

Hetimi mori një drejtim tjetër pasi babai i viktimës denoncoi në polici se dyshonte se nusja e tij ishte e përfshirë në vrasje.

Gjatë hetimeve u zbulua se shoferi i autobusit kishte vetëm tre muaj që punonte në biznesin e familjes dhe dyshohet se kishte një lidhje romantike me bashkëshorten e viktimës.

Policia arrestoi katër persona: gruan e viktimës, të dyshuarin si të dashurin e saj dhe dy zbutës gjarpërinjsh, të cilët akuzohen se siguruan dhe përdorën gjarprin helmues për realizimin e planit.

Çifti ishte martuar në vitin 2019 dhe vetëm tre muaj para ngjarjes kishte hapur kopshtin privat “Krishna Kids Play School”, ku punonte edhe shoferi i arrestuar.

Sipas drejtuesit të policisë së zonës, provat e mbledhura deri tani tregojnë se vdekja e 32-vjeçarit nuk ishte aksidentale, por një vrasje e paramenduar e organizuar për t’u dukur si një vdekje natyrale nga kafshimi i një gjarpri.

ME TE LEXUARAT