“Rama jep dorëheqjen!”/ 50 ditë revoltë! Personazhet e njohura që iu bashkuan protestave të qytetarëve (FOTO)

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike hyn sot në ditën e saj të 49-të. Edhe këtë pasdite, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, duke konfirmuar se revolta e nisur prej javësh nuk ka ndërmend të ndalet.
Tashmë kjo protestë ka marrë mbështetje nga ylli i muzikës pop Dua Lipa, e ndërkohë VIP-at shqiptar vijojnë të jenë në shesh çdo ditë.
IRGEN ÇELA DHE ALBANO BOGDO
Në skenë i kemi parë shpesh të bëjnë ironi me problemet që ky shtet ka. Si aktor humori kanë bërë shpesh shaka edhe me politikanët që e drejtojnë këtë vend.

Por për një kauzë kaq të rëndësishme, duket se dy aktorët e humorit kanë hequr dorë nga humori për t’u bashkuar në protestë me qytetarët e tjerë. Në krye të protestuesve, Albano dhe Irgeni duket se këtë herë nuk e kanë pasur aspak me shaka angazhimin e tyre.

KLAJDI MUSABELLIU
Këngëtari e ka shprehur hapur pakënaqësinë që ka me pushtetin. Kur ishte pjesë e reality show, ai folur hapur sesi kishte humbur punën dhe ishte lënë në varfëri. E tashmë që protesta vijon, artisti nuk ka sesi mos ti bashkohet, për të ngritur zërin për padrejtësitë që i janë bërë atij, por edhe shqiptarëve të tjerë.

Këngëtari është parë në krye të protestës, duke marshuar së bashku me qytetarët e tjerë, në atë që prej më shumë se 6 javësh ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
ERANDA LIBOHOVA
Këngëtarja e njohur ka preferuar që të jetë e fokusuar vetëm tek karriera e saj. Prej vitesh, Eranda Libohova ka preferuar të mos prononcohet për çështje të tjera që prekin vendin tonë. Por kur bëhet fjalë për një kauzë të tillë kaq të rëndësishme, edhe Eranda nuk ka sesi të mungojë në shesh.

Artistja është shfaqur mes protestuesve, duke mos e fshehur aspak edhe pankartën që mbante në duar. “Aman mos u dorëhiq, se do marrim kilet e humbura nga marshimet”, shkruante letra që mbante në dorë këngëtarja.

BALINA BODINAKU
Si një ndër emrat me peshë në studio televizive, Balina Bodinaku e ka treguar që ditët e para mbështetjen për këtë protestë. Si një vajzë që nuk i trembet qëndrimeve të saj, Balina nuk kishte sesi të mungonte në krye të protestuesve.

Madje, ashtu edhe si mund të shihet edhe nga fotot, Bodinaku i është bashkuar thirrjeve në kor: “Rama jepe dorëheqjen”, duke motivuar kështu edhe protestuesit e tjerë.
NIKOL
Emri i saj u bë i njohur në reality show. Si një vajzë e rritur në Gjermani, Nikol e tregoi hapur mendësinë e saj kur ishte pjesë e garës. Edhe pse prej disa muajsh ajo jeton në Shqipëri, Nikol tashmë i ka evidentuar problematikat e mëdha të vendit tonë, e për këtë arsye ajo është parë në shesh.

Si një vajzë e re, që ka shumë shpresa tek vendi ynë, ajo nuk ka sesi të mungojë në shesh, duke iu bashkuar atyre mijërave të rinj që kanë pushtuar sheshin kryesor të Tiranës./Panorama Plus


