Seanca e fundit parlamentare/ PS dhe PD me dy raporte për reformën territoriale, ja çfarë ndodh me hartën e re

Të enjten, më 23 korrik, pritet të mbahet seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Burime për Euronews bëjnë me dije se në rendin e ditës do të jetë vetëm votimi i raporteve për reformën territoriale.
Në Kuvend do të paraqiten dy raporte, ai i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike por bazuar në shumicën parlamentare, pritet të miratohet raporti i socialistëve, të cilët disponojnë 84 votat e nevojshme.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse Partia Socialiste, krahas raportit, do të paraqesë edhe propozimin e saj për hartën e re territoriale. Debati lidhet me faktin nëse Shqipëria do të mbetet me 61 bashki apo do të propozohet një ndarje e re me 50, ose edhe 40 bashki.
Sipas burimeve, propozimi do të përfshijë vetëm ndryshimin e hartës territoriale, pa prekur ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe ligjin për financat vendore. Ndryshimet në këto dy ligje pritet të diskutohen gjatë sesionit të ri parlamentar, që nis në muajin shtator.
Mbetet për t’u parë nëse deri të enjten mazhoranca do t’i qëndrojë deklarimeve të saj dhe do ta çojë për votim në Kuvend propozimin për një hartë të re territoriale me më pak bashki.


