Vrasja e Ferdinant Hotit në Itali: Dalin detaje të reja, arrestohen shqiptari dhe e dashura e tij (EMRAT)

Bota

Vrasja e Ferdinant Hotit në Itali: Dalin detaje të reja, arrestohen

Hetimet mbi vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet pa jetë më 8 shtator në lumin Tergola në San Giorgio delle Pertiche, kanë marrë një rrjedhë të re që lidhet me veprimtarinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në rajonin e Venetos.

Në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar nga karabinierët e Miranos, u arrestuan shtetasi shqiptar Eris Makaj dhe partnerja e tij italiane, Noemi Caribba, të cilët ndodhen tashmë në burgun e Padovës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Caribba-s në Mirano, me ndihmën e njësisë kinologjike, hetuesit sekuestruan rreth 800 gramë hashash, 200 gramë kokainë si dhe një sasi prej 2 mijë eurosh në para të gatshme.

Hetimet e autoriteteve italiane kanë evidentuar gjithashtu lidhje të mundshme mes Eris Makajt dhe shtetasit Luigji Makaj, 44 vjeç, i cili u arrestua në muajin korrik për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje së bashku me 39-vjeçarin shqiptar Amiol Gjoka.

Pavarësisht se lidhja mes rrjetit të narkotikëve dhe vrasjes së Ferdinant Hotit mbetet në fazën e një hipoteze hetimore, karabinierët po analizojnë lëvizjet, kontaktet dhe komunikimet e fundit të të arrestuarve për të përcaktuar rolin e tyre të mundshëm në ekzekutimin e 35-vjeçarit. Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes vijojnë.

ME TE LEXUARAT