Trump kritikon Netanyahun për Libanin: Sulmi në Bejrut ishte i tepërt

Bota

Trump kritikon Netanyahun për Libanin: Sulmi në Bejrut ishte i

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Izraeli duhet të tregojë më shumë përgjegjësi në veprimet e tij ndaj Libanit, duke kritikuar një nga sulmet e fundit izraelite në Bejrut.

Gjatë një bisede me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në kuadër të samitit të G7-ës, Trump u ndal te situata në Lindjen e Mesme dhe konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut. Sipas tij, përplasjet kanë zgjatur prej kohësh dhe kanë shkaktuar një numër të madh viktimash.

I pyetur nëse është i zhgënjyer nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, Trump tha se marrëdhënia mes tyre mbetet shumë e mirë, por theksoi se lideri izraelit duhet të veprojë me më shumë kujdes në raport me Libanin. “Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të, por ai duhet të jetë më i përgjegjshëm në lidhje me Libanin. Nuk më pëlqeu që ai kreu një sulm… kjo ishte e tepërt”, u shpreh Trump.

Presidenti amerikan rikujtoi gjithashtu rolin e SHBA-së në mbështetjen e Izraelit, duke deklaruar se Uashingtoni ka qenë vendimtar për sigurinë e aleatit të tij në Lindjen e Mesme. “Pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte Izrael, sepse asnjë president tjetër nuk ishte i gatshëm të bënte atë që bëra unë”, tha Trump.

Komentet e tij vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe shmangie të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

ME TE LEXUARAT