Tentoi të vriste Trump gjatë darkës me gazetarët, i riu me pranga në duar mohon fajësinë në gjykatë

31-vjeçari i akuzuar se tentoi të vriste presidentin amerikan Donald Trump gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ka deklaruar se i pafajshëm për katër akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Sipas prokurorëve, më 26 prill Allen ka hyrë me forcë në një pikë kontrolli sigurie në hotelin ku po mbahej eventi vjetor për mediat, ndërkohë që Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës ndodheshin në një tjetër kat të godinës.
Cole Tomas Allen u paraqit këtë të hënë para një gjykatësi federal në Washington DC, me duar dhe këmbë të prangosura, ku pranë avokatit të tij deklaroi se nuk pranon akuzat.
Ai përballet me akuza të rënda, përfshirë tentativë për vrasjen e presidentit dhe sulm ndaj një oficeri.
Gjyqtari Trevor McFadden, i emëruar më herët nga Trump, ngriti pikëpyetje mbi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin nga çështja të prokurores amerikane për Washington DC, Jeanine Pirro, si dhe zyrtarëve të tjerë të administratës.
Avokatët argumentuan se Pirro dhe persona të tjerë të pranishëm në darkë mund të kenë qenë objektiva të mundshëm dhe për këtë arsye nuk duhet të jenë pjesë e procesit.
“Po bëjmë shumë supozime mbi ndjenjat e viktimave”, deklaroi avokati mbrojtës Eugene Ohm gjatë seancës.
Nga ana tjetër, gjyqtari u shpreh skeptik për kërkesën e mbrojtjes, duke e cilësuar të vështirë përjashtimin e të gjithë zyrës së prokurorisë.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar për 29 qershor.


