Shirat e rrembyeshëm shkaktojnë përmbytje dhe kaos trafiku në verilindje të SHBA-së

Shirat e rrembyeshëm që përfshinë verilindjen e Shteteve të Bashkuara këtë të hënë shkaktuan përmbytje të shumta në rrugët e Nju Jorkut, duke paralizuar trafikun rrugor dhe ajror në një nga metropolet më të mëdha të Amerikës.
Ujërat përmbytën rrugët, duke bllokuar qarkullimin dhe shkaktuar vështirësi të mëdha në lëvizje për mijëra udhëtarë dhe banorë.
Përveç Nju Jorkut, autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje të menjëhershme edhe në qytete të tjera të rëndësishme si Uashington, Baltimor, Nju Xhersi dhe Virxhinia.
Aeroporti Reagan në Uashington është në gjendje gatishmërie për të menaxhuar pasojat e mundshme në trafikun ajror, ndërsa punonjësit dhe autoritetet janë vënë në pozicion për reagim të shpejtë.
Shërbimi Meteorologjik Kombëtar i SHBA-së ka paralajmëruar se rreziku i përmbytjeve pritet të vazhdojë edhe në orët në vijim, me mundësi për përmbytje të rënda që mund të rrezikojnë jetën e njerëzve dhe sigurinë e infrastrukturës.
Banorëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të jenë vigjilentë ndaj urdhrave të emergjencës.
Në disa zona, përmbytjet kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe kanë dëmtuar strukturat e rrugëve, duke vështirësuar akoma më shumë situatën. Autoritetet po punojnë intensivisht për të shpëtuar të bllokuarit dhe për të garantuar normalizimin sa më shpejt të situatës kritike.


