SHBA ndal sulmet ndaj Iranit pas 13 ditësh, Huthitët godasin objektet saudite të naftës

Për herë të parë pas 13 ditësh sulmesh të pandërprera ajrore, Shtetet e Bashkuara nuk kryen një operacion të ri ushtarak kundër Iranit, duke ngritur spekulime për një ulje të përkohshme të tensioneve mes dy vendeve.
Uashingtoni nuk dha asnjë shpjegim zyrtar për ndërprerjen e sulmeve, të cilat ishin intensifikuar si përgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj anijeve që kalonin në Ngushticën e Hormuzit. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, reagoi me ironi në platformën X, duke shkruar: “Duket se Irani ynë i dashur pati një natë të qetë dje”.
Po ashtu, për herë të parë në ditët e fundit, nuk u raportuan sulme iraniane ndaj vendeve fqinje të Gjirit, të cilat kishin ndodhur çdo ditë si kundërpërgjigje ndaj operacioneve amerikane. Sipas portalit amerikan Axios, duke cituar dy burime anonime, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi të premten ushtrinë amerikane të mos ndërmarrë sulme të reja kundër Iranit.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha Reuters se Trump “gjithmonë ka preferuar diplomacinë”, por ka bërë të qartë se Irani do të përballet me pasoja nëse nuk angazhohet seriozisht në negociata.
Vetë Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani janë në kontakt për mundësinë e zhvillimit të bisedimeve që mund të çojnë në përfundimin e konfliktit, megjithëse, sipas tij, Irani nuk është ende gati për një marrëveshje.
Ndërsa tensionet në Gjirin Persik duket se janë zbutur përkohësisht, rebelët Huthi ndërmorën sulme ndaj objekteve të naftës në Arabinë Saudite dhe dy porteve në Detin e Kuq, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës rajonale. Analistët paralajmërojnë se zhvillimet e fundit mund të zgjerojnë konfliktin përtej Ngushticës së Hormuzit, duke rrezikuar edhe një korridor tjetër strategjik detar dhe duke rritur mundësinë e rikthimit të përplasjeve të ashpra në Jemen.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ndjekë me shqetësim zhvillimet dhe përpjekjet diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.


