Ratko Mlladiçi u dënua me burg përjetë për genocidin në Srebrenicë, Serbia nderon kri'minelin e luftës

Bota

Ratko Mlladiçi u dënua me burg përjetë për genocidin
Ndërsa Ratko Mlladiçi u dënua me burgim të përjetshëm për genocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, në Beograd ai u përcoll me nderime dhe fjalime që e paraqitën si një nga figurat më të rëndësishme të historisë serbe.

Homazhet u mbajtën në Shtëpinë e Ushtrisë, ku salla ishte e mbushur plot. Jashtë ndërtesës u grumbulluan qytetarë, ish-luftëtarë dhe mbështetës të 'Kasapit të Bosnjes'. Sipas televizionit serb Pink, nuk kishte vende të mjaftueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Në ceremoni morën pjesë familjarët e tij, përfshirë djalin Darko Mlladiç, ish-ushtarakë të lartë dhe përfaqësues të Republikës Sërpska.

Në vend që të kishte një reflektim për krimet për të cilat ai u shpall fajtor nga drejtësia ndërkombëtare, ceremonia u shoqërua me një sërë fjalimesh që e lartësuan figurën e tij.

Gjenerali Zhivomir Ninkoviç deklaroi se "po të mos e kishim atë, nuk do ta kishim as Republikën Sërpska", ndërsa shtoi se Mlladiçi "derdhi lot për çdo të vrarë".

Gjeneral-koloneli Branko Krga tha se Mlladiçi meriton "një vend dinjitoz në histori, përkrah vojvodëve dhe gjeneralëve të njohur serbë".

Ministri në qeverinë e Republikës Sërpska, Radan Ostojiç, e quajti Mlladiçin pjesë të historisë së popullit serb dhe akuzoi kundërshtarë të papërcaktuar se po përpiqen "ta fshijnë historinë serbe".

Një nga deklaratat që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ajo e historianes dhe akademikes ruse Jelena Guskova. Ajo e cilësoi Mlladiçin "udhëheqës të madh, profesionist të shkëlqyer dhe oficer të ndershëm", ndërsa deklaroi se "biografia e tij do të studiohet në shkolla dhe universitete". Guskova shtoi gjithashtu se "është e pamundur të mposhten rusët dhe serbët", duke pretenduar se Republika Sërpska ekziston sot falë Ushtrisë së saj dhe Ratko Mlladiçit.

Në asnjë prej fjalimeve nuk u përmend dënimi i Mlladiçit për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të luftës. Përkundrazi, ceremonia u mbyll me mesazhe fetare dhe nacionaliste, ku ai u paraqit si mbrojtës i popullit serb.

Ratko Mlladiçi vdiq më 27 gusht në paraburgimin e Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Trupi i tij u transportua të enjten në Beograd me një avion të Qeverisë së Serbisë.

Varrimi i tij do të zhvillohet të hënën në varrezat e Topçiderit, pranë varrit të vajzës së tij, Ana. Përpara ceremonisë së varrimit, trupi do të vendoset në Kishën e Shën Lukës në Topçider, ku qytetarët do të mund të bëjnë homazhe.

ME TE LEXUARAT