Policia britanike shqyrton akuzat ndaj Andrew, reagon Mbreti Charles: Jemi të gatshëm për bashkëpunim

Mbreti Charles ka reaguar për herë të parë publikisht në skandalin që lidhet me Jeffrey Epstein, duke deklaruar se Pallati Buckingham është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë lidhur me akuzat ndaj Andrew Mountbatten-Windsor.
Kjo vjen pasi policia konfirmoi se po vlerëson nëse ka baza për të nisur një hetim pas një ankese të paraqitur nga grupi anti-monarki Republic, i cili e ka raportuar Mountbatten-Windsor për dyshime mbi keqpërdorim të detyrës publike dhe shkelje të sekreteve zyrtare.
Email-e të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë sugjerojnë se ish-Princi Andrew ka ndarë informacione konfidenciale me Jeffrey Epstein, në kohën kur shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010 dhe 2011.
Dokumentet e fundit që lidhen me Epstein tregojnë se Andrew ka përcjellë raporte zyrtare mbi vizita në Singapor, Hong Kong dhe Vietnam. Po ashtu, në to përfshihen detaje mbi mundësi investimi në Afganistan, të cilat përshkruhen si “konfidenciale” dhe që janë ndarë me Epstein.


