Pas më shumë se një dekade, Tim Cook largohet nga drejtimi i Apple

Pas më shumë se një dekade në krye të Apple, Tim Cook raportohet se pritet të largohet nga posti i CEO-s, duke shënuar fundin e një epoke të rëndësishme për gjigantin teknologjik amerikan.
Cook mori drejtimin e kompanisë në vitin 2011, pas largimit të legjendës Steve Jobs. Gjatë udhëheqjes së tij, Apple njohu një rritje të jashtëzakonshme financiare dhe zgjerim global, duke u bërë kompania e parë në histori që arriti vlerën prej 3 trilion dollarësh në treg.
Së fundmi, Cook ka theksuar nevojën për të reduktuar përdorimin e tepërt të telefonave dhe rrjeteve sociale.
“Nuk dua që njerëzit ta përdorin shumë,” u shpreh ai, duke paralajmëruar për rrezikun e “scroll-it të pafund” dhe shkëputjes nga realiteti.
Ai shtoi gjithashtu rëndësinë e lidhjeve njerëzore:
“Nuk dua që njerëzit të shikojnë më shumë në smartphone sesa në sytë e dikujt tjetër,” duke nënvizuar nevojën për rikthim tek jeta reale dhe natyra.
Sa i përket të ardhurave, Cook mori një pagë bazë prej 3 milionë dollarësh në vitin 2024, ndërsa me shpërblime dhe kompensime të tjera, paga totale arriti rreth 74.6 milionë dollarë — një rritje prej 18% krahasuar me vitin e kaluar.


