OBSH: Mbi 5 miliardë njerëz të rrezikuar nga virusi që përhapet nga mushkonjat

Bota

OBSH: Mbi 5 miliardë njerëz të rrezikuar nga virusi që

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për përhapjen e një virusi të rrezikshëm që transmetohet nga mushkonjat dhe mund të prekë miliarda njerëz në mbarë botën. Bëhet fjalë për virusin ‘chikungunya’, i cili dikur shkaktoi një epidemi globale dhe tashmë po rikthehet me shpërthime të reja në disa kontinente.

Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende janë të ekspozuar ndaj këtij virusi, i cili shkakton ethe të forta, dhimbje të forta në nyje dhe në disa raste, paaftësi afatgjata. Ajo paralajmëroi se situata aktuale po ndjek të njëjtën trajektore si shpërthimi i viteve 2004-2005, që përfshiu gjysmën e një milioni njerëz dhe u përhap në gjithë globin.

Shpërthimet e fundit janë shënuar në ishujt e Oqeanit Indian, veçanërisht në La Reunion dhe Mauritius, ku virusi ka infektuar tashmë rreth një të tretën e popullsisë lokale. Përhapja po avancon edhe në Madagaskar, Somali, Kenia, Indi dhe pjesë të Azisë Juglindore.

Në Evropë, rreziku është në rritje. Që nga 1 maji, vetëm në Francë janë konfirmuar mbi 800 raste të importuara të chikungunya. Edhe pse nuk ka ende një trajtim specifik për virusin, OBSH thekson se parandalimi është arma e vetme, duke këshilluar përdorimin e insekticidëve, veshjeve mbrojtëse dhe mbulimin e lëkurës gjatë ditës, kur mushkonjat janë më aktive.

Rikthimi i këtij virusi me potencial epidemik është një thirrje urgjente për autoritetet shëndetësore globale, ndërsa OBSH bën apel për masa të menjëhershme parandaluese për të shmangur një krizë tjetër ndërkombëtare shëndetësore.

ME TE LEXUARAT