NASA pikas kraterin gjigant në Hënë , një dukuri e rrallë që ndodh vetëm një herë në 100 vjet

Një krater i madh, relativisht i ri u zbulua në sipërfaqen e Hënës nga studiues të NASA-s, çka ndodh vetëm rreth një herë në një shekull, ose edhe më rrallë.
I quajtur “McGetchin”, ai ka një diametër prej rreth 222 metrash. Sipas NASA-s, me shumë gjasë u krijua në pranverën e vitit 2024, kur një asteroid ose kometë u përplas me sipërfaqen hënore.
Shkencëtarët vlerësojnë se objekti që shkaktoi përplasjen mund të ketë qenë me madhësinë e një ndërtese me 3 deri në 6 kate.
Përplasja la pas një strukturë shumë të dallueshme në terrenin hënor.
Zbulimi u bë nga studiuesi Robert Wagner, kur analizoi imazhet e “Lunar Reconnaissance Orbiter”, sondës së NASA-s që studion sipërfaqen e Hënës nga viti 2009. Në skanimin e ri, krateri u shfaq si një njollë e madhe e ndritshme, e rrethuar nga një aureolë e errët.
Një studim i publikuar në revistën “Science Advances” e përshkruan “McGetchin”-in si “kraterin më të madh të ri të zbuluar deri tani në Sistemin Diellor”.
Kjo nuk do të thotë se është krateri më i madh në Hënë, pasi sipërfaqja hënore përmban kratere shumë më të mëdhenj, por të krijuar shumë kohë më parë.
Vëzhgimi i ndryshimeve që shkakton një përplasje e tillë mund t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë gjeologjinë dhe evolucionin e sipërfaqes së Hënës.
Zbulimi mund të ketë rëndësi edhe për misionet e ardhshme hënore me astronautë.


