Lindja e Mesme në alarm: SHBA godet Iranin, Teherani paralajmëron kundërpërgjigje

Bota

Lindja e Mesme në alarm: SHBA godet Iranin, Teherani paralajmëron

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një vale të re sulmesh amerikane ndaj objektivave iraniane dhe kërcënimeve për kundërpërgjigje të tjera. SHBA njoftoi se ka goditur rreth 90 objektiva ushtarake në Iran, ndërsa Teherani paralajmëroi se do të hakmerret dhe se ngushticat e Hormuzit do të hapen vetëm sipas “kushteve iraniane”.

Sipas Komandës Qendrore amerikane (CENTCOM), sulmet kishin në shënjestër sisteme të mbrojtjes ajrore, instalime për ruajtjen e raketave dhe dronëve, kapacitete detare dhe infrastruktura të tjera ushtarake përgjatë brigjeve të Iranit. Këto goditje erdhën pas një serie tjetër sulmesh, ku SHBA pretendon se kishte goditur edhe dhjetëra objektiva të tjerë.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, duke i cilësuar ato si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane. Teherani paralajmëroi se reagimet mund të shtrihen edhe në vende të tjera të rajonit nëse Uashingtoni vijon operacionet ushtarake.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka kërkuar një marrëveshje pas goditjeve amerikane, por shtoi se nuk është i sigurt nëse Teherani “është i denjë për një marrëveshje”. Trump tha se SHBA ka fituar ushtarakisht dhe paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj interesave amerikane do të përballet me një përgjigje shumë më të fortë.

Përplasjet kanë rritur alarmet në vendet e Gjirit Persik. Në Bahrein u aktivizuan sirenat e sulmit ajror, ndërsa ushtria e Kuvajtit njoftoi se po përpiqej të neutralizonte dronë dhe raketa hyrëse. Ndërkohë, Irani raportoi shpërthime në zona bregdetare dhe dëmtime në disa infrastruktura.

Situata ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, me rritje të çmimeve të naftës për shkak të pasigurisë rreth ngushticës së Hormuzit, një prej pikave më të rëndësishme për transportin global të energjisë. Investitorët kanë shfaqur shqetësim për mundësinë e zgjerimit të konfliktit.

Ndërsa Trump deklaroi se përplasja nuk është një luftë e plotë, por një përpjekje për të penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, të dyja palët vijojnë shkëmbimin e kërcënimeve. Komuniteti ndërkombëtar po monitoron me shqetësim zhvillimet, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë rikthim në negociata apo një valë të re operacionesh ushtarake.

ME TE LEXUARAT