Kanadaja kundërpërgjigjet me tarifa ndaj mbi 700 produkteve amerikane, rritet tensioni tregtar me SHBA-në

Bota

Kanadaja kundërpërgjigjet me tarifa ndaj mbi 700 produkteve amerikane,

Zyrtarët kanadezë njoftuan të martën se, më 8 shtator, Otava do të vendosë tarifa të reja për më shumë se 700 produkte të importuara nga Shtetet e Bashkuara. Normat do të lëvizin nga 15% deri në 50%.

Masa më e fortë do të prekë çelikun dhe aluminin amerikan, për të cilët tarifat do të dyfishohen dhe do të arrijnë në 50%. Kjo është e njëjta normë që SHBA-ja ka aplikuar ndaj çelikut dhe aluminit nga Kanadaja.

Qeveria kanadeze argumenton se këto masa synojnë të mbrojnë sektorin prodhues vendas nga pasojat e politikave tregtare amerikane.

Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Champagne, tha gjatë një konference për shtyp se tarifat e fundit të SHBA-së ndaj produkteve kanadeze do të prekin drejtpërdrejt punëtorët, kompanitë dhe komunitetet në të gjithë vendin.

“Kanadaja duhet të përgjigjet dhe sot po e bëjmë këtë në mënyrë proporcionale, të shënjestruar dhe strategjike”, deklaroi Champagne.

Lista e produkteve të prekura nga tarifat kanadeze përfshin, përveç metaleve, edhe artikuj letre, materiale ndërtimi, pajisje elektroshtëpiake dhe produkte bujqësore, mes tyre bulmet dhe prodhime deti.

Këto masa hakmarrëse përbëjnë vetëm një prej mënyrave që Kanadaja mund të përdorë nëse përplasja tregtare me Shtetet e Bashkuara vijon të përshkallëzohet.

Të dhënat e tregtisë amerikane tregojnë se tarifat e vendosura së fundmi nga SHBA-ja prekin rreth 5% të mallrave që ajo importoi nga Kanadaja vitin e kaluar. Në kahun tjetër, tarifat e Otavës përfshijnë rreth 6% të mallrave të eksportuara nga SHBA-ja drejt Kanadasë.

Kanadaja është destinacioni i dytë më i madh për eksportet amerikane dhe përbën një treg të rëndësishëm për shumë prej produkteve që do të goditen nga tarifat e reja.

Gjatë vitit të kaluar, Kanadaja ishte tregu kryesor i eksporteve amerikane të pajisjeve elektroshtëpiake, me blerje në vlerën e mbi 1 miliard dollarëve. Shumica e këtyre produkteve do të përballen tani me tarifë 25%.

Për të ndihmuar bizneset kanadeze të dëmtuara nga tarifat, autoritetet e vendit njoftuan gjithashtu një paketë financiare prej 7.5 miliardë dollarësh kanadezë, ekuivalente me rreth 5.4 miliardë dollarë amerikanë.

Kompanitë amerikane rrezikojnë të përballen me rënie të kërkesës në tregun kanadez për shkak të kostove më të larta. Si pasojë, disa prej tyre mund të shkurtojnë orët e punës ose edhe të reduktojnë numrin e vendeve të punës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se përplasja me Kanadanë mund të zgjerohet më tej.

Të hënën, Trump paralajmëroi se nga 1 janari mund të dyfishojë, në 50%, tarifat për automjetet dhe pjesët kanadeze të automjeteve.

ME TE LEXUARAT