Çmimi i naftës arrin në 229 lekë, shtrenjtohet edhe benzina në pikat e karburanteve

Aktualitet

Çmimi i naftës arrin në 229 lekë, shtrenjtohet edhe

Çmimet e karburanteve kanë prekur nivelin më të lartë që prej heqjes së Bordit të Transparencës.

Këtë të shtunë, nafta në pikat e tregtimit në vend po shitet me 229 lekë për litër, 10  më shumë krahasuar me çmimin e mëparshëm prej 219 lekësh.

Edhe benzina është shtrenjtuar ndjeshëm. Nga 205 lekë për litër, tashmë çmimi i saj varion nga 216 deri në 219 lekë, një rritje me 11 deri në 14 lekë për litër.

Shtrenjtimi në tregun vendas vjen paralelisht me rritjen e  çmimit në bursat ndërkombëtare.

Nafta ka arritur në 104.97 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në rreth katër muaj.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimeve, qeveria nuk parashikon rikthimin e Bordit të Transparencës.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi një ditë më parë se ky mekanizëm nuk do të rikthehet. Sipas saj, vëmendja do të përqendrohet te ecuria e çmimeve të produkteve të shportës së konsumit dhe te masat që mund të zbusin kostot për qytetarët.

Qeveria argumenton se një mekanizëm ndërhyrës për çmimet e karburanteve mund të përdoret vetëm për periudha të shkurtra, ndërsa edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar që masa të tilla të jenë të përkohshme.

ME TE LEXUARAT