Irani paralajmëron: Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur, derisa SHBA të përmbushë kushtet e Teheranit

Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të vijojë të mbetet e mbyllur derisa të përmbushen kushtet e vendosura nga Teherani dhe Shtetet e Bashkuara të zbatojnë angazhimet e tyre.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, deklarata është bërë nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf, i cili tha se vendi i tij nuk do të ndërmarrë hapa për rihapjen e ngushticës për sa kohë që kërkesat e Iranit nuk janë përmbushur.
Ghalibaf theksoi se Irani duhet të ndjekë njëkohësisht rrugën e luftës dhe të negociatave.
Sipas tij, Teherani do të përdorë fuqinë ushtarake për t’iu kundërvënë kundërshtarëve, ndërsa diplomacia do të shërbejë për të konsoliduar atë që vendi i tij e konsideron si arritje në fushën e betejës.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë dhe çdo kufizim i lëvizjes në këtë korridor strategjik mund të ndikojë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe transportin detar.


