Gruaja që i mbijetoi abuzimit nga 50 burra nderohet me titullin më të lartë në Francë

Gisele Pelicot, gruaja që ka tronditur Francën dhe opinionin ndërkombëtar me historinë e saj të tmerrshme, është nderuar me titullin më të lartë civil të shtetit francez: Kalorëse e Legjionit të Nderit. Ceremonia e dhënies së titullit u zhvillua në prag të Ditës Kombëtare Franceze, si një akt simbolik për kurajën, forcën dhe luftën e saj për drejtësi.
Sot 72 vjeçe, Gisele vendosi të dalë nga heshtja dhe anonimati, për të rrëfyer publikisht një histori të errët: ajo ishte droguar sistematikisht nga bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot, i cili më pas lejonte që rreth 50 burra ta përdhunonin ndërsa ajo ishte në gjendje të pavetëdijshme.
Kjo dhunë barbare kishte ndodhur për më shumë se një dekadë, ndërsa ajo jetonte pa asnjë dijeni për atë që i bëhej në trupin e saj.
Dominique Pelicot u dënua me 20 vite burg në dhjetor të vitit të kaluar, pasi pranoi aktet monstruoze. Gisele, megjithë traumat e rënda, ndoqi çdo seancë gjyqësore me qetësi dhe dinjitet, duke u bërë simbol i rezistencës dhe fuqisë së viktimave të dhunës seksuale.
“Dua që çdo grua e dhunuar të mendojë: ‘Zonja Pelicot ia doli, mundem edhe unë’”, ka thënë ajo në një deklaratë publike, ndërsa shtoi se dëshira e saj është të zhvendoset ndjesia e turpit nga viktima te dhunuesi.
Presidenti Emmanuel Macron e përshkroi si “një figurë frymëzimi për Francën dhe për botën”, duke vlerësuar qëndrimin e saj të palëkundur në përballjen me një realitet brutal.
Pjesë e një liste me 589 persona të nderuar, Gisele Pelicot është shndërruar në simbol të një epoke të re, ku heshtja thyhet dhe drejtësia merr zë. Një libër me rrëfimin e saj të plotë pritet të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm.


