Masakër në Gaza, gjashtë fëmijë vriten teksa prisnin të mbushnin ujë

Një tjetër episod i dhimbshëm u shënua në Gazën qendrore, ku një sulm ajror izraelit mori jetën e 10 civilëve, gjashtë prej tyre fëmijë teksa prisnin në radhë për të mbushur ujë pranë një cisterne në kampin e refugjatëve al-Nuseirat.
Sipas dëshmitarëve, një dron goditi turmën me raketë në momentin që fëmijët dhe të rriturit po qëndronin me bidona bosh për të marrë ujë. Viktimat u dërguan në Spitalin al-Awda, i cili raportoi edhe 16 të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë.
Banorët e zonës kanë reaguar menjëherë, duke transportuar të plagosurit me mjete private dhe karroca.
Sipas zyrtarëve lokalë të mbrojtjes civile, vetëm këtë të diel janë regjistruar 19 të vrarë në tri sulme të ndara që goditën ndërtesa banimi në Gazën qendrore dhe Qytetin e Gazës.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq bëri të ditur se vetëm të shtunën, spitali i tyre në Rafah ka pranuar 132 të plagosur nga armët, prej të cilëve 31 nuk i mbijetuan plagëve.
Sulmet mbi civilët e pambrojtur, sidomos fëmijët, kanë rikthyer edhe një herë në vëmendje pasojat tragjike të luftës mbi popullsinë e pafajshme dhe krizën humanitare në përshkallëzim të plotë.


